Ukraina e vrau zëvendëskomandantin e Marinës së Rusisë, Mikhail Gudkov, thotë guvernatori rus
Gjeneral Major Mikhail Gudkov, zëvendëskomandant i Marinës së Rusisë, i cili gjithashtu udhëhiqte një brigadë që lufton kundër Ukrainës, është vrarë në rajonin Kursk të Rusisë.
Kështu tha të enjten guvernatori i një rajoni në pjesën lindore të Rusisë, Oleg Kozhemyako, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në kanale jozyrtare ushtarake ruse e ukrainase në rrjetin “Telegram” më herët ishte raportuar se Gudkovi ishte vrarë bashkë me dhjetë ushtarë të tjerë nga një sulm ukrainas ndaj një pike të komandës në Korenevo të rajonit Kursk, i cili kufizohet me Ukrainën.
Forcat ukrainase nisën një ofensivë të befasishme matanë kufirit në Kursk të Rusisë në gushtin e vitit të kaluar, por më vonë është raportuar se ato janë dëbuar nga një pjesë e madhe e rajonit.
Rusia ka pranuar trupa edhe nga aleatja lindore, Koreja e Veriut, për t’i përforcuar trupat e saj në luftimet e Kurskut.