Ukraina e kundërshton propozimin e kryeministrit sllovak për t’i dhënë territor Rusisë - NACIONALE

Ukraina e kundërshton propozimin e kryeministrit sllovak për t’i dhënë territor Rusisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ukraina i ka kundërshtuar sugjerimet e kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, se Kievi do të duhet t’i dorëzojë territor Rusisë për t’i dhënë fund luftës.

“Nuk mund të ketë kompromis për integritetin territorial, as për Ukrainën, as për Sllovakinë, as për asnjë shtet tjetër”- shkroi në “Facebook” zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleh Nikolenko.

“Le të jemi të sinqertë: nëse Ukraina nuk është e sigurt, nuk do të ketë siguri, as për Sllovakinë, as në Evropë në përgjithësi”- shtoi ai.

Në një intervistë në radion sllovake në fundjavë, Fico paraqiti një sfidë të drejtpërdrejtë për këtë ide dhe për pozicionin thelbësor të shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian, raporton televizioni CNN.

Duke folur vetëm disa ditë para një vizite të planifikuar në Ukrainë, Fico tha se Kievi dhe Moska duhet të bëjnë kompromise të dhimbshme për t’i dhënë fund luftës. Për Ukrainën, sipas tij, kjo e nënkupton pranimin e të paktën disa fitoreve territoriale të Rusisë.

“Çfarë po presin ata? Që Rusia do t’i lërë Donbasin e Luhanskun? Ose që do të largohen nga Krimea? Jo, kjo është tërësisht jorealiste. Të gjithë e dinë këtë”- tha kryeministri sllovak.

I parë gjerësisht si figurë pro Kremlinit, Fico i fitoi zgjedhjet në tetor, duke garuar me premtimin se do t’i bllokonte ndihmat e mëtejme ushtarake të vendit të tij për Ukrainën.

Në Bashkimin Evropian, ai rreshtohet ngushtë me homologun hungarez, Viktor Orban, dhe ka qenë shumë i hapur për qëllimet për t’ia bllokuar Ukrainës synimet për anëtarësim në BE e NATO.

Lajme të ngjashme