Ukraina e humb aeroplanin e parë luftarak francez “Mirage 2000”, piloti arrin të dalë - NACIONALE

Ukraina e humb aeroplanin e parë luftarak francez “Mirage 2000”, piloti arrin të dalë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një aeroplan luftarak i tipit “Mirage 2000”, të cilin Franca ia kishte dhuruar Ukrainës, u rrëzua të martën pas një dështimi të pajisjeve gjatë zbatimit të një detyre. Piloti arriti të dilte në mënyrë të sigurt nga aeroplani para rrëzimit të tij, tha ushtria ukrainase.

Kjo ishte humbja e parë e një aeroplani “Mirage 2000” që nga koha kur ushtria ukrainase filloi t’i pranonte ata më herët këtë vit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ndodhi dështimi i pajisjeve, të cilin piloti e raportoi te kontrollori i fluturimeve” – thuhet në një deklaratë të ushtrisë ukrainase në rrjetin “Telegram”.

“Piloti pastaj veproi në mënyrë kompetente, siç pritet në situata krize, dhe me sukses u largua. Një ekip shpëtimi e gjeti pilotin në gjendje stabile. Nuk pati viktima në tokë” – thuhet më tej në deklaratë.

Në raportimet e mediave ukrainase thuhet se incidenti ndodhi në rajonin veriperëndimor Volyn, i cili kufizohet me Poloninë e Bjellorusinë.

Ushtria ukrainase e kishte njoftuar arritjen e grupit të parë të aeroplanëve “Mirage 2000” në shkurt të këtij viti.

Aeroplanët luftarakë amerikanë të tipit F-16 filluan të arrinin në Ukrainë vitin e kaluar nga shtete të ndryshme, përderisa aleatët perëndimorë të Kievit po mundoheshin që ta ndihmonin Ukrainën ta modernizonte flotën e saj të forcës ajrore, e cila përbëhet kryesisht nga aeroplanë të periudhës sovjetike./Nacionale

Lajme të ngjashme