Ukraina e aleatët diskutojnë se si t’i bëhet trysni Rusisë për armëpushim 30-ditor - NACIONALE

Ukraina e aleatët diskutojnë se si t’i bëhet trysni Rusisë për armëpushim 30-ditor

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ukraina ka diskutuar me zyrtarë të lartë amerikanë, francezë, britanikë e gjermanë se si t’i bëhet presion Rusisë që të pajtohet për një armëpushim 30-ditor, tha të enjten një ndihmës i lartë i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, si pjesë e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës.

Andriy Yermak, shef i stafit të Zelenskyt, nuk tregoi se kur u zhvilluan bisedimet nga distanca me emisarët e posaçëm amerikanë, Steve Witkoff e Keith Kellogg, këshilltarin e lartë diplomatik francez, Emmanuel Bonne, këshilltarin britanik për siguri kombëtare, Jonathan Powell, dhe këshilltarin e lartë të kancelarit gjerman, Guenter Sautter, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Megjithatë, ai tha se të gjitha palët “theksuan se një armëpushim i plotë dhe i pakushtëzuar duhet të jetë hapi i parë drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.

“Ne gjithashtu diskutuam për instrumentet e presionit në rast se Rusia e refuzon nismën ose nëse i shkel marrëveshjet” – shkroi Yermaku në rrjetin “Telegram”.

Ukraina ka shprehur gatishmëri për të pranuar një propozim të Shteteve të Bashkuara për një armëpushim të menjëhershëm 30-ditor, i cili do të mund të zgjatej me marrëveshje reciproke të palëve, ndërsa e ka akuzuar Kremlinin për shpërfilljen e këtij plani. Putini ka shpallur armëpushim për vetëm tri ditë – nga 8 deri më 10 maj.

“Propozimi i Kremlinit për armëpushim treitor nuk ka të bëjë me paqen, por me mbajtjen e paradës në Moskë në mënyrë të sigurt. Ky është manipulim politik” – tha më tej shefi i stafit të Zelenskyt.

Rusia po përgatitet për paradën tradicionale ushtarake më 9 maj për ta shënuar fitoren e Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tij kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

Të enjten, pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të shpallur nga Rusia, qielli mbi qytetet kryesore të Ukrainës ishte i qetë, edhe pse pati raportime për përleshje në pjesën lindore të vendit.

Lajme të ngjashme