Ukraina do t’i ofrojë Polonisë trajnime për mbrojtje nga dronët pas cenimit nga Rusia
Ushtarët dhe inxhinierët ukrainas do t’i trajnojnë homologët e tyre polakë në një grup të përbashkët për t’iu kundërvënë dronëve, tha të enjten ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Denys Shmyhal, një javë pasi disa dronë rusë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë.
“Ne po flasim për trajnimin e inxhinierëve dhe trajnimin e ushtarëve që do t’i bëjnë ballë dhe do ta mbrojnë domenin ajror” – tha ministri ukrainas para gazetarëve në një konferencë për shtyp krahas homologut të tij polak në Kiev, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Nuk po flasim vetëm për dronë pengues, sepse kjo është vetëm maja e iceberg-ut, që na lejon neve ta mbrojmë qiellin tonë së bashku” – shtoi ai.
Më shumë se 20 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake natën mes 9 dhe 10 shtatorit, duke i nxitur aeroplanët e NATO-s që të rrëzonin disa prej tyre dhe duke e shtuar ndjenjën e alarmit në Varshavë për gatishmërinë e Moskës që ta testojë vendosmërinë e aleancës.
Aeroplanët luftarakë hodhën raketa për t’i rrëzuar dronët, proces që kushton shumë më shumë se kostoja e Rusisë për lëshimin e dronëve të lirë e që prodhohen në mënyrë masive.
Rusia tha se forcat e saj ishin duke e sulmuar Ukrainën në kohën e hyrjes së dronëve në Poloni dhe se nuk synonte që të godiste caqe brenda këtij shteti.
Ukraina thotë se ka kapacitete që prijnë në botë për t’iu kundërvënë sulmeve masive ruse me dronë, duke përdorur një sistem shtresor kompleks që përfshin dronë pengues, mitraloza të rëndë dhe pajisje luftarake elekotronike.
Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Ëladyslaë Kosiniak-Kamysz, tha se ukrainasit dhe polakët do të ushtrojnë së bashku në një zonë trajnimesh në Lipa, në jug të Polonisë./Nacionale