Ukraina do ta ndërtojë shkollën e parë nëntokësore për t’i mbrojtur nxënësit nga sulmet
Metropoli lindor ukrainas, Kharkiv, do ta ndërtojë shkollën e parë tërësisht nëntokësore në vend për t’i mbrojtur nxënësit nga sulmet e shpeshta të Rusisë me bomba e raketa, njoftoi kryetari i qytetit.
“Një strehimore e tillë do t’u mundësojë mijëra fëmijëve në Kharkiv që ta vazhdojnë shkollimin e tyre të sigurt sy më sy edhe gjatë rreziqeve nga raketat”- tha kryetari Ihor Terekhov në rrjetin “Telegram”.
Përderisa shumë shkolla në rajonet e vijës së frontit janë detyruar që të funksionojnë përmes mësimit në internet gjatë luftës, Kharkivi ka organizuar më shumë se 60 klasë nëpër stacionet e metros para se të fillonte viti i ri shkollor më 1 shtator, duke krijuar hapësirë për shkollimin e më shumë se një mijë fëmijëve, raporton agjencia “Reuters”.
Kharkivi është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës dhe para fillimit të luftës kishte mbi 1,4 milion banorë. Disa pjesë të qytetit shtrihen më pak se 35 kilometra larg kufirit me Rusinë dhe ky vendbanim ka qenë në shënjestër të sulmeve pothuajse të përditshme ruse me raketa, që mund të godasin para se banorët të arrijnë në strehimore.
Në 24 orët e fundit deri të hënën, një burrë civil vdiq dhe disa shtëpi u dëmtuan si rezultat i sulmeve ruse me predha e raketa, tha guvernatori i rajonit të Kharkivit, Oleh Sinehubov.
Nga lufta, të cilës nuk po i shihet fundi, janë vrarë mijëra civilë e janë shpërngulur miliona të tjerë. Ministria e Arsimit e Ukrainës thotë se 363 institucione arsimore janë shkatërruar dhe gat 3.800 të tjera janë dëmtuar në mbarë vendin.
Shkolla e re “do t’i plotësojë kërkesat më moderne të rregullatorit për struktura mbrojtëse”, tha kryetari i qytetit. Nuk qe menjëherë e qartë se sa e madhe do të jetë kjo shkollë ose kur do të hapet.