Ukraina ngre aktakuzë ndaj 6 personave – përfshirë një ligjvënës – për skemën e blerjes së dronëve
Ukraina tha të hënën se ka ngritur akuza ndaj gjashtë personave, përfshirë një ligjvënës dhe një zyrtar qeveritar, për përvetësim të fondeve gjatë blerjes së dronëve dhe pajisjeve penguese për ushtrinë.
Autoritetet kundër korrupsionit thanë të shtunën se kishin zbuluar një skemë ku përfshihej ligjvënësi, një zyrtar dhe një tjetër tashmë i shkarkuar, një komandant i Gardës Kombëtare dhe dy biznesmenë, që jepnin para për blerje me çmime të fryra, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Më 2024-2025, një grup i organizuar kriminal në mënyrë sistematike shpërdoroi fonde të ndara nga autoritetet lokale për nevojat e mbrojtjes” – tha në një deklaratë Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit, duke shtuar se vlera e përgjithshme e ryshfetit ishte rreth 30 për qind e vlerës së kontratave.
Kontrata e dronëve e kishte vlerën e 240 mijë dollarëve me një fryrje prej rreth 80 mijë dollarësh, tha kjo agjenci.
Presidenti Volodymyr Zelensky, i cili nxiti zemërim publik muajin e kaluar për shkak të heqjes së pavarësisë së dy agjencive kundër korrupsionit për një kohë të shkurtër, e vlerësoi lart zbulimin e rastit të shtunën pas takimit me krerët e këtyre agjencive.
Përpos ligjvënësit, në mesin e atyre ndaj të cilëve u ngritën akuza të hënën janë një ish-guvernator dhe një ish-drejtor i administratës rajonale, kreu i administratës ushtarake të një qyteti, komandanti i një njësiti të Gardës Kombëtare dhe drejtori e pronari i një kompanie për prodhimin e dronëve.
Asnjërit prej të dyshuarve nuk iu publikua emri. Pajisjet ishin të prodhuara në Ukrainë./Nacionale