Uji nxjerr të paktën 57 trupa në bregdet pas fundosjes së dy barkave me emigrantë në Libi - NACIONALE

Uji nxjerr të paktën 57 trupa në bregdet pas fundosjes së dy barkave me emigrantë në Libi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën 57 trupa janë nxjerrë në bregdet nga uji i detit, pasi dy barka me emigrantë u përmbytën në Detin Mesdhe, jo shumë larg dy qytezave në pjesën perëndimore të Libisë, thanë të martën një zyrtar i rojës bregdetare dhe një punëtor i ndihmave.

Një i mbijetuar i quajtur Bassam Mahmoud nga Egjipti tha se rreth 80 pasagjerë ndodheshin në njërën nga barkat që u nis drejt Evropës rreth orës 2 pas mesnatës të martën, raporton agjencia “Reuters”.

Gjatë përmbytjes së barkës shpërtheu një grindje, por personi që ishte duke e drejtuar atë refuzoi që ta ndalte lundrimin, tha dëshmitari.

“Vazhduam që të luftonim derisa dikush u kap me ne. Skena ishte e tmerrshme dhe disa vdiqën (në ujë) përballë meje”- i tha ai agjencisë “Reuters”.

Njëmbëdhjetë trupa, përfshirë një të një fëmije, u gjetën afër Qarabullit, në lindje të Tripolit, tha zyrtari i rojës bregdetare, Fathi al-Zayani. Ai shtoi se emigrantët ishin nga Pakistani, Siria, Tunizia dhe Egjipti.

Një punëtor ndihmash i Gjysmëhënës së Kuqe në Sabratha, në perëndim të Tripolit, tha se kjo organizatë ka gjetur 46 trupa në gjashtë ditët e kaluara në plazh dhe se të gjithë trupat ishin të emigrantëve ilegalë nga një barkë.

Organizata Ndërkombëtare për Migracion tha këtë muaj se 441 emigrantë dhe refugjatë janë mbytur në ujë në fillim të vitit 2023 përderisa ishin duke u përpjekur që ta kalonin Detin Mesdhe nga Afrika Veriore për në Evropë. Sipas kësaj organizate, ky është numri më i madh i viktimave në gjashtë vitet e fundit për një periudhë tremujore.

Një dekadë pas rrëzimit të Muammar Gaddafit përmes kryengritjes së përkrahur nga NATO-ja më 2011, Libia u bë pika kryesore e largimit të emigrantëve afrikanë që mundohen të arrijnë në Evropë.

Lajme të ngjashme