Udhëheqësit evropianë rreshtohen me Ukrainën para takimit Trump – Putin - NACIONALE

Udhëheqësit evropianë rreshtohen me Ukrainën para takimit Trump – Putin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vendet evropiane janë rreshtuar prapa Ukrainës, duke thënë se paqja në shtetin e goditur nga lufta nuk mund të zgjidhet pa Kievin, para një takimi mes presidentëve Donald Trump e Vladimir Putin në Alaskë.

Trumpi ka thënë se takimi i së premtes së kësaj jave me homologun rus në tokën amerikane do të përqendrohet në përfundimin e luftës, e cila tani është në vitin e katërt, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Si reagim, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i falënderoi aleatët evropianë përmes një shkrimi në rrjetin X, duke shkruar të dielën: “Fundi i luftës duhet të jetë i drejtë dhe unë i jam mirënjohës secilit që qëndron me Ukrainën dhe me popullin tonë.”

Në një deklaratë të publikuar të shtunën, e nënshkruar nga presidentja e Komisionit Evropian dhe udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë, Polonisë dhe Finlandës, u theksua nevoja për “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme” për Ukrainën, përfshirë garancitë “e forta dhe të besueshme” të sigurisë.

“Ukraina e ka lirinë e zgjedhjes për fatin e saj. Bisedimet domethënëse mund të zhvillohen vetëm në kontekstin e një armëpushimi ose të zvogëlimit të armiqësive” – thuhet në deklaratë.

“Rruga drejt paqes në Ukrainë nuk mund të vendoset pa Ukrainën. Ne mbesim të përkushtuar ndaj parimit se kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë” – shtuan udhëheqësit evropianë.

Deklarata evropiane vjen pas një takimi mes nënpresidentit amerikan, JD Vance, dhe zyrtarëve të lartë evropianë dhe ukrainas në rezidencën e kryediplomatit britanik për të diskutuar rreth përfundimit të luftës.

Kremlini javën e kaluar i përsëriti kërkesat që Ukraina të dorëzojë territor, të heqë dorë nga synimi për t’u anëtarësuar në NATO dhe të pranojë kufizime në ushtrinë e saj, në këmbim të tërheqjes së trupave ruse nga pjesa tjetër e territorit.

Sidoqoftë, Zelensky tha të shtunën se Ukraina “nuk do t’i japë Rusisë asnjë shpërblim për atë që e ka bërë” dhe se “ukrainasit nuk do t’ia japin tokën e tyre pushtuesit”.

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha të dielën se udhëheqësit evropianë “po përgatiten intensivisht” para samitit mes Trumpit e Putinit në Alaskë, ndërsa “shpresojnë dhe presin” që Zelensky do të ftohet.

Gjermani i tha transmetuesit publik ARD se me javë ka qenë duke e inkurajuar Uashingtonin që t’i ashpërsojë sanksionet kundër Rusisë, duke shtuar se “Putini vepron vetëm nën presion”./Nacionale

Lajme të ngjashme