Udhëheqësit e BE-së pajtohen për embargo të pjesshme ndaj naftës ruse - NACIONALE

Udhëheqësit e BE-së pajtohen për embargo të pjesshme ndaj naftës ruse

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian është pajtuar për vendosjen e embargos ndaj shumicës së importeve të naftës ruse gjatë bisedimeve që u zhvilluan mbrëmë vonë në samitin e Brukselit.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, e cilësoi marrëveshjen arritje të konsiderueshme dhe tha se sanksionet do të ndikojnë menjëherë në 75 për qind të importeve të naftës ruse, “duke shkëputur një burim të madh të financimit për makinerinë luftarake të saj”.

Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian, tha se vendimi do të ndërpresë praktikisht rreth 90 për qind të importeve të naftës nga Rusia në BE deri në fund të vitit, sepse Gjermania dhe Polonia janë zotuar se do ta refuzojnë furnizimin nga Rusia përmes një gazsjellësi që kalon nëpër territorin e tyre.

Michel shtoi se në pakon e re të sanksioneve përfshihen edhe heqja e qasjes në sistemin ndërkombëtar të pagesave, “Swift”, për bankën më të madhe ruse, “Sberbank”, ndalimi i transmetimit të tri televizioneve të tjera shtetërore ruse dhe sanksionet shtesë kundër “individëve përgjegjës për krime lufte në Ukrainë”.

Më herët, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje udhëheqësve të Bashkimit Evropian që të shfaqin unitet kundër homologut të tij rus, Vladimir Putin.

Michel tha të hënën në mbrëmje se Këshilli Evropian dhe Grupi G7 janë të gatshëm që t’i ndajnë Ukrainës 9 miliardë euro ndihma për rindërtimin e pasluftës dhe për nevojat për likuiditet. Sidoqoftë, Von der Leyen paralajmëroi se Ukrainës i nevojiten 5 miliardë euro në muaj vetëm për t’i ofruar shërbimet themelore dhe “për t’i dhënë Ukrainës një mundësi të drejtë për t’u ngritur nga hiri”.

BE-ja kishte ngecur gati katër javë për ta hartuar pakon e re të sanksioneve kundër Rusisë që nga koha kur Von der Leyen kishte propozuar ndalim të plotë të naftës ruse./Nacionale

Lajme të ngjashme