U vra nga burri pak javë pas martesës, Australia e dënon nënën e nuses për detyrim - NACIONALE

U vra nga burri pak javë pas martesës, Australia e dënon nënën e nuses për detyrim

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një nënë është bërë personi i parë që burgoset sipas ligjeve të reja të Australisë kundër martesës së detyruar, për urdhër ndaj vajzës së saj që të martohej me një burrë që më vonë do ta vriste 21-vjeçaren.

Sakina Muhammad Jan, afër të pesëdhjetave, u shpall fajtore për detyrimin ndaj Ruqia Kaidarit për t’u martuar me 26-vjeçarin Mohammad Ali Halimi më 2019, në këmbim të një pagese të vogël, raporton televizioni BBC.

Gjashtë javë pas martesës, Halimi e vrau nusen e tij, vepër për të cilën tani është duke e vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm.

Të hënën, nëna e gruas së vrarë, e cila ishte deklaruar e pafajshme, u dënua me të paktën një vit burgim për atë që një gjykatëse e quajti “presion të patolerueshëm” që ia kishte bërë të bijës.

Ligjet kundër martesës së detyruar ishin miratuar në Australi më 2013 dhe bartin dënim maksimal prej shtatë vitesh burgim. Disa raste janë në pritje, por Jan është personi i parë që dënohet për këtë shkelje.

Si refugjate afgane e komunitetit Hazara, që kishte ikur nga talibanët dhe ishte vendosur në Victoria me pesë fëmijët e saj më 2013, avokatët e zonjës Jan kanë thënë se ajo vuan nga pikëllimi i gjatë për vdekjen e vajzës së saj, por vazhdon që ta pretendojë pafajësinë.

Në gjykim është thënë se Haidari së pari ishte detyruar që të bënte martesë fetare jozyrtare në moshën 15-vjeçare – bashkim që kishte marrë fund pas dy vjetëve – dhe nuk donte të martohej përsëri derisa të mbushte 27 ose 28 vjet jetë.

“Ajo donte t’i ndiqte studimet dhe të siguronte një vend pune” – tha gjykatësja Fran Dalziel gjatë leximit të vendimit për dënimin e nënës së viktimës.

Përderisa nëna mund të ishte duke besuar se po vepronte për interesin më të mirë të së bijës, gjykatësja tha se nëna vazhdimisht i kishte shpërfillur dëshirat e të bijës dhe e kishte “shpërdorur” fuqinë e saj si nënë./Nacionale

Lajme të ngjashme