“U sollën keq”: Kina i vendos kufizime vizash një pjese të personelit amerikan
Kina ka njoftuar kufizime në viza ndaj një pjese të personelit të Shteteve të Bashkuara, të cilët janë “sjellë keq” sa u përket çështjeve të lidhura me Tibetin, tha të hënën Ministria e Jashtme në Pekin.
Njoftimi në një konferencë të rregullt për shtyp erdhi pasi Uashingtoni u vendosi kufizime shtesë në viza para dy javëve zyrtarëve kinezë të përfshirë në politika rreth qeverisjes së qasjes së të huajve në zonat e Tibetit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Shtetet e Bashkuara e akuzuan Partinë Komuniste të Kinës se ka refuzuar që t’u japë diplomatëve e gazetarëve amerikanë si dhe vëzhguesve të tjerë ndërkombëtarë qasje në Tibet dhe në zona të tjera tibetiane të Kinës dhe kërkuan “qasje të pakufizuar” në ato zona për diplomatë të ShBA-së e të vendeve të tjera.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian, tha se çështjet e lidhura me Tibetin janë “punë të brendshme” të Kinës dhe se “abuzimi i ShBA-së me kufizime në viza ndaj zyrtarëve amerikanë” në lidhje me Tibetin “seriozisht i shkel të drejtën ndërkombëtare dhe normat bazë të qeverisjes së marrëdhënieve ndërkombëtare”.
Turistëve të huaj u lejohet vizita në rajonin e skajshëm perëndimor të Tibetit, me kusht që ata të udhëtojnë në grupe dhe të marrin leje paraprakisht. Diplomatëve dhe gazetarëve të huaj u nevojitet miratimi nga autoritetet lokale të Tibetit për të shkuar atje.
“Tibeti është i hapur. Kina mirëpret njerëz miqësorë nga shtete të tjera për ta vizituar, për të udhëtuar dhe për të bërë biznes në Tibet” – tha para gazetarëve zëdhënësi kinez.
“Por Kina e kundërshton ndërhyrjen e cilitdo shtet ose person në punët e Tibetit nën pretekstin e të ashtuquajturave të drejta të njeriut, fesë e kulturës” – shtoi ai.
Kina e mori kontrollin e Tibetit në vitin 1950 në atë që e përshkruan si “çlirim paqësor” nga bujkrobëria feudale.
Megjithatë, grupe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe persona në ekzil e kanë dënuar atë që e quajnë sundim shtypës të Kinës në zonat tibetiane./Nacionale