Tusku: Mos pyesni çfarë mund të bëjë Amerika për sigurinë e Evropës, por çfarë mund të bëjmë ne
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka porositur që të mos bëhet pyetja se çfarë mund të bëjë Amerika për sigurinë e Evropës, por, në vend të kësaj, të bëhet pyetja se çfarë mund të bëjnë evropianët për sigurinë e kontinentit të tyre.
Deklarata e kryeministrit polka, që shihet si reagim ndaj komenteve të presidentit të ri amerikan, Donald Trump, për atë që ai e sheh si kontribut të pamjaftueshëm financiar të Evropës për sigurinë e përbashkët, në të vërtetë është parafrazim i adresimit të ish-presidentit amerikan, John F Kennedy, në vitin 1961, raporton gazeta "The Guardian".
Edhe toni, edhe porosia e polakut duket se ishin shumë të ngjashme me ato të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili paralajmëroi në Davos se Evropa duhet ta avancojë lojën e vet dhe të ndalojë së varuri nga Shtetet e Bashkuara.
Tusku gjithashtu u duk se u mundua të përhapte një pikëpamje positive ndaj fjalëve të presidentit amerikan.
“Presidenti i ri i ShBA-së thotë se Evropa duhet ta ndajë pjesën tonë të përgjegjësisë për sigurinë tonë. Vetëm një aleat mund t’i dëshirojë një aleati tjetër që të bëhet më i fortë. Kjo nuk është ajo që do ta thoshte një kundërshtar i Evropës” – deklaroi ai.
Polonia e ka marrë presidencën e përkohshme të Bashkimit Evropian më 1 janar dhe Tusku, ish-president i Këshillit Evropian, dëshiron që ta shfrytëzojë përvojën e tij për ta ndihmuar bllokun në këtë kohë të paqartë.
“Është e vërtetë se ajo që është duke ndodhur përreth nesh… është një grup tërësisht i ri i sfidave për Evropën, por Evropa u krijua saktësisht për t’u ballafaquar me sfida të tilla” – tha Tusku.