Turqit të zemëruar nga rritja “e qëllimshme” e refuzimit të vizave evropiane - NACIONALE

Turqit të zemëruar nga rritja “e qëllimshme” e refuzimit të vizave evropiane

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Prezantuesja turke e sportit, Sinem Okten, u befasua, kur pa se aplikimi i saj për vizë Schengen ishte refuzuar dy herë, ndonëse e kishte vizituar shpesh zonën për të mbuluar ndeshje dhe për të bërë intervista me figura si portieri italian, Gianluigi Buffon, dhe trajneri i Liverpulit, Jurgen Klopp.

Reuters

“Aplikova fillimisht për Gjermani, pastaj për Francë. Të dyja ma refuzuan aplikimin. Kam udhëtuar jashtë vendit shumë herë për të ndjekur dhe incizuar ndeshje dhe për të intervistuar njerëz, ndoshta 50 – 60 herë. Kjo është hera e parë që po e kam këtë problem”, tha ajo.

Sipas të dhënave, turqit që po aplikojnë për viza për në 26 vendet e zonës Schengen po refuzohen gjithnjë më shumë dhe udhëtimet po anulohen. Ankaraja tha këtë javë se kjo është përpjekje e qëllimshme për ta vendosur presidentin turk, Rexhep Erdogan, në pozitë të vështirë para zgjedhjeve të ngushta të vitit të ardhshëm, akuzë që është mohuar nga Bashkimi Evropian.

Në bazë të të dhënave në uebfaqen “schengenvisainfo.com”, 16.5 për qind të aplikuesve nga Turqia vitin e kaluar u është refuzuar viza, dukshëm më shumë se shifra prej 12.5 për qind në vitin paraprak. Shifra e refuzimit të vizave ishte vetëm 4 për qind më 2015 dhe filloi të rritej më 2017 për turqit, sipas të dhënave.

Kostot për aplikim për vizë – rreth 100 euro ose një e treta e pagës minimale në Turqi – nuk kthehen pavarësisht nga fakti nëse përgjigjja është pozitive apo negative, raporton agjencia “Reuters”, përcjell gazeta Nacionale.

“Në përgjithësi, shkalla e refuzimit për aplikimet për viza Schengen janë rritur në nivel botëror... Megjithatë, kur krahasohet me vendet e tjera si Rusia, shkalla e refuzimit për Turqinë është shumë më e madhe dhe më e qëndrueshme”, tha Shkurta Januzi, kryeredaktore në uebfaqen “SchengenVisaInfo.com”.

Prezantuesja turke tha se ambasada gjermane nuk ka dhënë arsye për refuzimin e aplikimit të saj. Në një dokument nga ambasada franceze, i parë nga agjencia “Reuters”, thuhet se nuk janë parë dëshmi të mjaftueshme se prezantuesja do të mund ta financonte qëndrimin e saj në Francë ose për kthimin në Turqi.

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha se ai beson që koha e gjatë e shqyrtimit dhe rritja e vërejtur e shkallës së refuzimit janë të qëllimshme, duke shtuar se ai e ka ngritur këtë çështje në takimet me homologët.

“Fatkeqësisht, ShBA-ja dhe disa shtete perëndimore të BE-së e jashtë saj u japin qytetarëve tanë terminë për viza një vit, 6, 7, 8 muaj më vonë. Ato gjithashtu e kanë rritur shkallën e refuzimit. Kjo është e planifikuar dhe e qëllimshme”, tha të martën kryediplomati turk.

Ministria e tij do t’i paralajmërojë ambasadorët e disa shteteve perëndimore për këtë problem në shtator, tha ministri, duke shtuar: “Nëse situata nuk përmirësohet pas kësaj, ne do të marrim kundërmasa kufizuese.”

Nikolaus Meyer-Landrut, shef i delegacionit të BE-së në Turqi, i tha agjencisë “Reuters” se aplikacionet për viza Schengen trajtohen sipas meritave dhe jo me prapavijë politike, duke shtuar se nga Turqia shihen relativisht më shumë aplikacione më të paplota dhe me mashtrime.

“Asnjë vendim nuk merret me prapavijë politike, por me bazë objektive”, tha ai, duke shtuar se shkalla e refuzimit për Turqinë vitin e kaluar ishte afër shifrës globale prej 13 deri 14 për qind për viza Schengen.

Udhëtime të anuluara

Njëzet e dy nga njëzet e gjashtë anëtaret e zonës Schengen janë anëtare edhe të Bashkimit Evropian. Turqia dhe BE-ja kanë lidhje të mira tregtare dhe migrim të vjetër me dekada. Sidoqoftë, marrëdhëniet janë të tensionuara për disa çështje, përfshirë lirinë e të shprehurit në Turqi dhe politikat e BE-së për refugjatët sirianë.

Para pandemisë, shtetet e zonës Schengen pranoni mbi 900.000 aplikacione për viza në vit nga Turqia, por kjo shifër ra në rreth 270.000 vitin e kaluar.

Sipas uebfaqes së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, qytetarët nga të gjitha vendet e zonës Schengen nuk kanë nevojë për vizë për ta vizituar Turqinë, shumica deri në 90 ditë, ndërsa disa mund ta vizitojnë këtë shtet vetëm me letërnjoftim.

Për shkak se gjithnjë më shumë turq po marrin përgjigje negative për viza, kompanitë e udhëtimeve kanë anuluar udhëtime të rregullta, tha shefi i kompanisë “Tur Andiamo”, Cem Polatoglu.

“Po kemi probleme. Udhëtimet tona po anulohen. Dikur caktonim udhëtime për në Itali çdo javë, tash duhet t’i ofrojmë ato çdo dy javë”, tha Polatoglu.

Në një qendër për aplikim për vizë në Stamboll, 57-vjeçari Himet Dogan tha se gjatë udhëtimeve të kaluara ishte më e lehtë marrja e vizës për ta vizituar të birin në Suedi.

“Kam udhëtuar dy – tri herë, por kësaj radhe është më vështirë, edhe kostot janë shtuar... Fatkeqësisht, të rinjtë po mundohen që ta lënë vendin, pasi ekonomia turke po përkeqësohet”, tha ai.

Jashtë zonës Schengen, Shtetet e Bashkuara u zotuan të mërkurën për ta rritur kapacitetin e shqyrtimit të aplikacioneve për viza në shtetin e largët pas ankesës publike të ministrit të Jashtëm të Turqisë.

Prezantuesja e sportit tha se do t’i vazhdojë përpjekjet për të siguruar një vizë. “Sezoni filloi dhe unë duhet të mbuloj disa ndeshje nga vendi i ngjarjes. Më duhet që të kem mundësi për të udhëtuar jashtë vendit që ta bëj punën time... Do të aplikoj përsëri dhe do t’i provoj gjasat e mia përmes Greqisë kësaj radhe”, tha ajo.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme