Turqia thotë se po e mbështet ushtrinë e Sirisë dhe s’ka plane të menjëhershme për tërheqje - NACIONALE

Turqia thotë se po e mbështet ushtrinë e Sirisë dhe s’ka plane të menjëhershme për tërheqje

1 vit më parë

nga NACIONALE

Turqia është duke i trajnuar dhe duke i këshilluar forcat e armatosura siriane dhe duke ndihmuar për ta përmirësuara mbrojtjen e këtij shteti si dhe nuk ka plane të menjëhershme për tërheqje ose ndryshim të vendit të trupave të vendosura atje, i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” ministri i Mbrojtjes, Yasar Guler.

Turqia është treguar aleate kyçe e qeverisë së re siriane që nga koha kur rebelët – disa prej të cilëve me vite janë mbështetur nga Ankaraja – e rrëzuan nga pushteti në dhjetor ish-presidentin Bashar al-Assad, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ankaraja ka premtuar se do ta ndihmojë rindërtimin e Sirisë fqinje dhe do ta lehtësojë kthimin e miliona refugjatëve civilë sirianë të luftës. Turqia luajti rol kyç muajin e kaluar në heqjen e sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ndaj Sirisë.

Në përgjigjet me shkrim ndaj pyetjeve të agjencisë “Reuters”, ministri turk tha se vendi i tij dhe Izraeli – i cili i kreu sulmet më të reja ajrore në jug të Sirisë të martën vonë – janë duke i vazhduar bisedimet për depërshkallëzim në mënyrë që të shmangen aksidentet ushtarake në Siri.

Sipas Gulerit, prioriteti i përgjithshëm i Turqisë në Siri është ruajtja e integritetit territorial dhe unitetit të vendit fqinj dhe këtij shteti t’i hiqet qafe terrorizmi, duke shtuar se Ankaraja është duke e mbështetur Damaskun në këto përpjekje.

“Ne e kemi filluar ofrimin e trajnimit ushtarak dhe shërbimeve të konsulencës, ndërkohë duke bërë hapa për ta rritur kapacitetin e mbrojtjes të Sirisë” – tha ministri turk, pa hyrë në hollësi rreth këtyre hapave.

Lajme të ngjashme