Turqia refuzon të heqë veton ndaj anëtarësimit të Finlandës e Suedisë në NATO
Pavarësisht bisedimeve mes delegacioneve dhe gjithë përpjekjeve për ta bindur Turqinë të tërhiqet, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka riktheksuar edhe një herë kundërshtimin e tij ndaj anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO, duke përmendur shqetësimet e sigurisë.
Sipas Balkan Insight, ditën e enjte, Erdogan është shprhur sërish se Turqia do të vazhdojë të bllokojë anëtarësimin e tyre.
“Ne u thamë miqve të afërm se do t'i themi jo hyrjes finlandeze dhe suedeze në NATO. Ne do të vazhdojmë në rrugën tonë”, tha Erdogan.
Ai shtoi se NATO është një aleancë sigurie dhe Turqia nuk mund të pranojë në të vende që mbështesin grupr “terroriste”, duke iu referuar mbështetjes së vendeve nordike për grupet kurde.
"Finlanda dhe Suedia po strehojnë qendra terroristë," tha Erdogan, duke nënkuptuar veçanërisht mbështetjen e tyre për forcat kurde në Siri, të cilat Turqia i konsideron një degë të Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit, PKK.
Kujtojmë se, pushtimi rus i Ukrainës ka bërë që të dyja vendet skandinave t'i japin fund politikave të tyre të neutralitetit.
Të dy vendet tashmë kanë aplikuar zyrtarisht për bashkim me NATO-n, e ndërsa shumica e vendeve anëtare kanë mirëpritur vendimin e tyre, Turiqa ka kundërshtuar që në fillim.
“Turqia ka mbështetur politikën e NATO-s me dyer të hapura edhe para luftës në Ukrainë. Por në lidhje me këto vende kandidate, ne kemi shqetësime legjitime për sigurinë se ato kanë mbështetur organizatat terroriste”, ka thënë ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.
Sipas ekspertëve, Erdogan po kërkon të bëjë pazare për shitjen e avionëve luftarakë amerikanë në Turqi dhe për sanksionet e vendosura ndaj Ankarasë për shkak të afrimit të saj me Rusinë dhe blerjes së sistemeve raketore ruse S-400.
Ata thonë se Turqia, gjithashtu dëshiron të detyrojë vendet e Evropës veriore që të heqin dorë nga mbështetja e tyre për grupet kurde, të cilat Erdogan mund t'i paraqesë më pas si një fitore në politikën e brendshme.
Suedia dhe Finlanda mund t'i bashkohen NATO-s vetëm nëse të gjithë anëtarët e aleancës e pranojnë një gjë të tillë.