Turqia e lëshon në orbitë satelitin e parë komunikues vendës, "Turksat 6A" - NACIONALE

Turqia e lëshon në orbitë satelitin e parë komunikues vendës, "Turksat 6A"

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Turqia të martën herët e lëshoi në orbitë satelitin e parë komunikues të prodhuar brenda vendit, “Turksat 6A”. Ankaraja tha se ky veprim do ta zgjerojë mbulimin satelitor të vendit dhe do t’i plotësojë nevojat e transmetimit televiziv.

Raketa “Falcon 9” e kompanisë “SpaceX” e dërgoi satelitin turk në hapësirë nga qendra “Space Launch Complex 40” Florida të Shteteve të Bashkuara, raporton agjencia “Reuters”.

Presidenti turk, Rexhep Erdogan, tha se nisja e këtij sateliti e shënon hapjen e një “faze të re” për Turqinë në prodhimin e satelitëve.

“Si Turqi, ne prodhuam më shumë se 81 për qind të nënsistemeve, stacioneve tokësore satelitore dhe softuerëve në projektin 6A, i cili ka rëndësi të madhe për të ardhmen e vendit tonë në hapësirë, me burime kombëtare” – tha ai.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Abdulkadir Uraloglu, tha se sinjali i parë nga sateliti “Turksat 6A” u pranua 67 minuta pas nisjes së tij, siç ishte planifikuar, duke shtuar se sateliti do ta zgjerojë mbulimin e Turqisë në pesë miliardë njerëz.

“Ne do t’i kemi sjellë komunikimet tona, transmetimet tona televizive në një nivel më të sigurt, më të mirë” – tha ai, duke shtuar se sateliti “Turksat 6A” tani do t’i mundësojë Turqisë që të arrijë me sinjale edhe në Indi, Indonezi, Malajzi dhe Tajlandë.

Turqia edhe më parë ka nisur satelitë përmes raketave të kompanisë “SpaceX”. Ministri Uraloglu tha se sateliti “Turksat 6A” është rezultat i një përpjekjeje 10-vjeçare për të prodhuar një satelit brenda vendit, duke shtuar se Turqia ka hyrë në grupin prej 11 shteteve që e kanë bërë këtë./Nacionale

Lajme të ngjashme