Turqia e gatshme për t’i furnizuar me rrymë Sirinë e Libanin, thotë ministri Bayraktar - NACIONALE

Turqia e gatshme për t’i furnizuar me rrymë Sirinë e Libanin, thotë ministri Bayraktar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Turqia është e gatshme për t’u ofruar energji elektrike Sirisë dhe Libanit dhe një ekip i zyrtarëve qeveritarë tashmë ndodhen në Siri, ku po punojnë për të gjetur një zgjidhje të problemeve energjetike të vendit fqinj, tha ministri turk i Energjisë, Alparslan Bayraktar.

“Ndoshta energjia për të cilën kanë nevojë Siria dhe Libani fillimisht do të përmbushet përmes importimit të saj nga Turqia dhe natyrisht se mund ta shohim pamjen pak më shumë, pasi ta kemi parë situatën në rrjetin e transmisionit” – tha ministri turk para gazetarëve në qytetin që shtrihet në juglindje të Turqisë, Sanliurfa, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Delegacioni ministror arriti në Damask të shtunën dhe, sipas komenteve të mëparshme të Bayraktarit, ekipi do të diskutonte rreth bashkëpunimit të mundshëm në fushën e energjisë, përfshirë ofrimin e furnizimit me rrymë për t’i lehtësuar ndërprerjet.

Ai shtoi se kapaciteti energjetik prej 8 mijë e 500 megavatësh, sa ishte para luftës në Siri, kishte rënë në rreth 3 mijë e 500 megavatë.

“Shumica e njerëzve i përmbushin nevojat e tyre për rrymë me gjeneratorë, prandaj në të vërtetë është një nevojë shumë serioze për energji” – tha më tej ministri turk, duke shtuar se ekipi ministror po e shikonte mundësinë se si mund të përdoren burimet siriane të naftës dhe gazit natyror.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, ka thënë se Ankaraja do të bëjë çfarëdo që është e nevojshme për rindërtimin e Sirisë.

Turqia tani për tani ofron energji elektrike për disa pjesë të Sirisë veriore, ku ka zhvilluar katër operacione ushtarake që nga viti 2016./Nacionale

Lajme të ngjashme