Turqia e dorëzon sot deklaratën për t'iu bashkuar rastit kundër Izraelit në GjND
Turqia të mërkurën do të dorëzojë një deklaratë të ndërhyrjes në rastin e Afrikës së Jugut në të ciin Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) në Hagë, tha një burim diplomatik.
Deklarata do të ndodhë në orën 15 e 30 minuta sipas zonës kohore të Evropës Qendrore, shtuan burimet, pasi ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, tha këtë javë se vendi i tij do ta bënte deklaratën të mërkurën, raporton agjencia “Reuters”.
“Ndërhyrja e Turqisë e shtyn komunitetin ndërkombëtar për ta njohur dhe për ta adresuar krizën humanitare në Gaza” – tha burimi.
Në maj, Turqia tha se kishte vendosur t’i bashkohej rastit të nisur nga Afrika e Jugut, përderisa i kishte shtuar masat kundër Izraelit për shkak të sulmit të këtij shteti në Gaza, duke shtuar se kërkesa e saj do të vinte pas përgatitjeve të nevojshme ligjore.
Në qershor, Spanja tha se kishte kërkuar që të ndërhynte në rast në GjND, organi më i lartë ligjor i Kombeve të Bashkuara, i themeluar më 1945 për t’u marrë me mosmarrëveshjet mes shteteve.
Izraeli vazhdimisht i ka hedhur poshtë akuzat për gjenocid në këtë rast, duke i cilësuar si të pabaza dhe duke argumentuar në gjykatë se operacionet e tij në Gaza janë vetëmbrojtje dhe në shënjestër i kanë militantët e Hamasit që e kishin sulmuar Izraelin më 7 tetor./Nacionale