Turqia do të kërkojë urdhërarreste ndërkombëtare për vrasjen e Eygis në Bregun Perëndimor
Turqia ka nisur një hetim për vdekjen e një aktivisteje turko-amerikane që besohet se është qëlluar me armë nga trupat izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe do të kërkojë urdhërarreste ndërkombëtare për këtë rast, tha të enjten Ankaraja.
Trupi i gruas 26-vjeçarem Aysenur Ezgi Eygi, do të arrijë në Turqi të premten, tha Ministria e Jashtme, raporton agjencia “Reuters”.
Izraeli e ka marrë përgjegjësinë për vdekjen e Eygis, e cila u vra të premten e kaluar, përderisa po merrte pjesë në një protestë kundër zgjerimit të vendbanimeve të hebrenjve në Bregun Perëndimor.
Ministria e Jashtme e Turqisë tha se gruaja “qëllimisht u shënjestrua dhe u vra nga ushtarët izraelitë gjatë një proteste paqësore në solidaritet me palestinezët”.
“Ne do të bëjmë çdo përpjekje për t’u siguruar që ky krim të mos kalojë pa u ndëshkuar” – thuhet më tej në deklaratën e kësaj ministrie.
Izraeli ka thënë se ka shumë gjasa që trupat e tij ta kenë shkrepur plumbin që e shkaktoi vrasjen e gruas, por se vdekja e saj ishte e paqëllimshme.
Një burim në Ministrinë e Jashtme të Turqisë tha se pritet që trupi i viktimës të dërgohet me aeroplan nga Tel Avivi në Baku të enjten mbrëma, ndërsa pastaj në Stamboll të premten në mëngjes. Pritet që e vrara të varroset në qytetin Didim.
Ministri i Drejtësisë, Yilmaz Tunc, tha se zyra e kryeprokurorit është duke i hetuar “ata që janë përgjegjës për martirizimin dhe vrasjen e motrës sonë, Aysenur Ezgi Eygi”. Ai iu tha gazetarëve se Turqia ka dëshmi në lidhje me vrasjen dhe se do të bëjë kërkesa për lëshimin e urdhërarresteve ndërkombëtare.
Presidenti dhe nënpresidentja e ShBA-së, Joe Biden e Kamala Harris, thanë të mërkurën se vrasja e turko-amerikanes është e papranueshme dhe se Izraeli duhet të bëjë më shumë për t’u siguruar që një gjë e tillë të mos ndodhë kurrë më./Nacionale