“Turp”: Plani i Francës për njohjen e Palestinës kundërshtohet ashpër nga Izraeli e ShBA-ja
Franca synon që të njohë një shtet palestinez në shtator në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Sigurimit, tha të enjten presidenti francez, Emmanuel Macron, me shpresën se do t’i sillet paqe rajonit, por plani i tij nxiti kundërshtime të ashpra nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.
Macroni, i cili e zbuloi planin në rrjetin X, publikoi një letër që ia kishte dërguar presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, në të cilën ia kishte konfirmuar synimin e Francës për të vazhduar tutje me njohjen e Palestinës dhe me punën për t’i bindur partnerët e tjerë që ta ndjekin shembullin e Parisit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“I vërtetë ndaj zotimit historik të saj për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, unë kam vendosur se Franca do ta njohë shtetin e Palestinës. Unë do ta bëj këtë njoftim solemn në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara shtatorin e ardhshëm” – tha presidenti francez.
Lajmi nxiti zemërim në Izrael dhe ShBA. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e dënoi vendimin e njërit prej aleatëve kryesorë të vendit të tij dhe anëtar i Grupit G7, duke thënë se një lëvizje e tillë “e shpërblen terrorin dhe rrezikon që të krijojë një prokurë tjetër iraniane”.
Në një shkrim të publikuar në rrjetin X, ai shtoi: “Një shtet palestinez në këto kushte do të ishte një vendnisje për ta asgjësuar Izraelin – jo që të jetohet në paqe krahas tij. Le të jemi të qartë: palestinezët nuk kërkojnë një shtet krahas Izraelit; ata kërkojnë një shtet në vend të Izraelit.”
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, e përshkroi vendimin e Francës si “një turp dhe një dorëzim para terrorizmit”, duke shtuar se Izraeli nuk do ta lejojë themelimin e një “entiteti palestinez që do ta dëmtonte sigurinë tonë, do ta rrezikonte ekzistencën tonë”.
Reagim negativ pati edhe nga Uashingtoni. Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, tha se Shtetet e Bashkuara “e kundërshtojnë fuqishëm planin (e Macronit) për të njohur një shtet palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së”.
Në një shkrim në rrjetin X, kryediplomati amerikan tha: “Ky vendim i pamatur i shërben vetëm propagandës së Hamasit dhe e kthen prapa paqen. Kjo është një shuplakë në fytyrën e viktimave të 7 tetorit.”
Më herët, edhe Kanadaja kërkoi nga Izraeli që ta synojë paqen. Kryeministri kanadez, Mark Carney, e dënoi atë që e quajti “dështim për ta parandaluar katastrofën humanitare që po përkeqësohet shpejt në Gaza” dhe e përsëriti mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete.
Carney gjithashtu e akuzoi Izraelin për shkeljen e së drejtës ndërkombëtare për shkak të bllokimit të ndihmave të financuara nga Kanadaja për civilët në enklavën palestineze të rrënuar nga lufta./Nacionale