Turbulencë gjatë një fluturimi të “Lufthansa”-s drejt Frankfurtit, lëndohen 11 persona
Njëmbëdhjetë persona u lënduan, kur një fluturim i kompanisë ajrore “Lufthansa” nga Buenos Airesi për në Frankfurt u godit nga turbulenca e fuqishme gjatë fluturimit mb Oqeanin Atlantik, tha të martën kjo kompani.
“Fatkeqësisht, pesë pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit pësuan lëndime kryesisht të lehta. Siguria e fluturimit nuk ishte në rrezik në asnjë kohë” – tha një zëdhënës i kompanisë në një shkresë elektronike për agjencinë e lajmeve “Reuters”, duke konfirmuar një raport nga agjencia gjermane e lajmeve, DPA.
Personat e lënduar menjëherë morën trajtim mjekësor, pasi aeroplani aterroi në mënyrë të sigurt në destinacionin e planifikuar të martën në orën 10 e 53 minuta paradite, sipas kompanisë “Lufthansa”.
Në aeroplanin e tipit “Boeing 747-8” ndodheshin 329 pasagjerë dhe 19 anëtarë të ekuipazhit. Turbulenca ishte e shkurtër dhe ndodhi në një zonë të konvergjencës ndërtropikale, tha kompania.
Në maj, një pasagjer vdiq nga sulmi i dyshimtë në zemër dhe 30 të tjerë u lënduan, kur një aeroplan pasagjerësh i kompanisë “Singapore Airlines” ishte goditur nga një turbulencë e fuqishme në Mianmar.