Turbina që mund ta përplasë Gjermaninë me Kanadanë - NACIONALE

Turbina që mund ta përplasë Gjermaninë me Kanadanë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjermania ka thënë se shpreson që ta bindë Kanadanë që ta dorëzojë në Rusi turbinën e nevojshme për mirëmbajtjen e gazsjellësit "Nord Stream 1", kur Rusia po e pret arritjen e kësaj pajisjeje para se ta rrisë sasinë e furnizimit me gaz.

Gjermania po mundohet që ta rrisë sasinë e furnizimit me energji, por Ukraina e ka akuzuar berlinin se i është dorëzuar shantazhit rus, pasi Moska tha se pakësimi i furnizimit me gaz ka ndodhur për shkak të nevojës për riparim të gazsjellësit e jo për shkak të kushteve në kohën e luftës në Ukrainë.

Tash për tash, turbina është duke iu nënshtruar mirëmbajtjes dhe rregullimit në një qendër kanadeze, e cila është në pronësi të gjigantit industrial gjerman, "Siemens", raporton agjencia "AFP".

Gjiganti rus i gazit, "Gazprom", muajin e kaluar ia la fajin problemit me këtë turbinë për pakësimin e furnizimit me gaz për Gjermaninë përmes gazsjellësit kundërthënës, duke shkaktuar krizë serioze të energjisë në Gjermani.

Berlini thotë se ka qenë në kontakt të rregullt me Otavën në javët e fundit për ta siguruar kthimin e shpejtë të turbinës në Evropë pa e detyruar Kanadanë që t'i shkelë sanksionet e lidhura me luftën në Ukrainë kundër Rusisë.

Gjermania është shqetësuar edhe nga cikli i një mirëmbajtjeje më të gjerë të gazsjellësit, që pritet të fillojë të hënën dhe të zgjasë rreth dhjetë ditë.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, tha të premten se Berlini ka marrë sinjale pozitive nga Kanadaja./Nacionale

Lajme të ngjashme