Truss-i largohet, por rrëmuja politike e ekonomike e Britanisë mbetet - NACIONALE

Truss-i largohet, por rrëmuja politike e ekonomike e Britanisë mbetet

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministrja britanike, Liz Truss, dha dorëheqje të enjten pas një mandati të trazuar e të shkurtër, të dëmtuar nga politikat ekonomike, që i turbulluan tregjet financiare dhe një rebelim në partinë e saj që e shkatërroi autoritetin e ish-kryediplomates.

Associated Press

Pas vetëm 45 ditëve në pushtet, zonja Truss u bë kryeministrja e tretë e Partisë Konservatore që bie në po kaq vjet dhe do të hyjë në histori si shefja me mandatin më të shkurtër qeveritar në Britani. Dorëheqja e saj e zgjat mungesën e stabilitetit që e ka dridhur Britaninë që nga largimi nga Bashkimi Evropian dhe e lë udhëheqësinë e vendit në paqartësi përderisa Mbretëria e Bashkuara po ballafaqohet me krizën e rritjes së kostos së jetesës dhe recesionin e pritshëm.

“Nuk mund ta kryej mandatin për të cilin jam zgjedhur nga Partia Konservatore”, tha Truss-i para ndërtesës qeveritare.

Tregjet financiare dhanë një shenjë lehtësimi, por tash, një parti e përçarë në pushtet duhet të gjejë shpejt një kryetar që mund t’i unifikojë fraksionet ndërluftuese të saj. Truss-i tha se do të mbetet në postin e kryeministres derisa të zgjidhet një udhëheqës i ri. Partia Konservatore tha se këtë do ta bëjë deri në fundin e javës së ardhshme – kohë jashtëzakonisht e shkurtër për zgjedhjen e udhëheqësit të ardhshëm të njërës prej ekonomive më të mëdha në botë.

Në mesin e kandidatëve të mundshëm për postin e kryeministrit janë ish-shefi i Thesarit, Rishi Sunak, i cili e humbi garën pikërisht kundër zonjës Truss pak muaj më parë; kryetarja e dhomës së ulët të Parlamentit, Penny Mordaunt; sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace; dhe Boris Johnson, ish-kryeministri i larguar nga pushteti në korrik pas një vargu skandalesh etike.

Politikat e Truss-it për taksa të ulëta e pak rregulla ekonomike, të cilat ia siguruan fitoren në parti, dolën të ishin katastrofale në botën reale në kohën e rritjes së inflacionit dhe rritjes së dobët ekonomike.

Në planin e saj ekonomik të 23 shtatorit përfshihej një grumbull i uljes të taksave, për të cilin investitorët u shqetësuan se Britania nuk do të mund ta përballonte. Ky plan shkaktoi rënie të vlerës së funtit dhe e rriti koston e hipotekave, duke shkaktuar dhimbje ekonomike për njerëzit dhe bizneset që tashmë po kanë vështirësi në një ekonomi që ende nuk është rimëkëmbur mirë nga pasojat e pandemisë.

Tronditja financiare çoi në zëvendësimin e shefit të Thesarit, ndryshime të shumta të politikave dhe shthurje të disiplinës në Partinë Konservatore në pushtet.

Truss-i dha dorëheqje vetëm një ditë pas zotimit se do të qëndronte në pushtet, kur tha se ajo është “luftëtare e jo dorëzuese”. Sidoqoftë, ajo nuk mundi të mbahej më gjatë pas dorëheqjes së një ministri.

Para zonjës Truss, kryeministri britanik me mandatin më të shkurtër kishte qenë George Canning, i cili kishte vdekur gjatë kohës që ishte në pushtet më 1827, duke qëndruar në post për vetëm 119 ditë.

Pas dorëheqjes së kryeministres Truss, vlera e funtit britanik të enjten u rrit për rreth 1 për qind dhe u këmbye me rreth 1.13 dollar.

Se nga do të shkojë Partia Konservatore tash e tutje, nuk është e qartë. Fraksionet e saj të shumta kanë përçarje të thella mes vete.

Partia Konservatore tha se nominimet për kryetar të ri do të mbyllen të hënën. Kandidatët duhet të kenë së paku 100 nënshkrime nga 357 ligjvënës konservatorë, që do të thotë se më së shumti tre kandidatë mund ta sigurojnë këtë shifër.

Ligjvënësit do ta eliminojnë njërin nga kandidatët dhe do të kërkojnë votim nga 172.000 anëtarët e partisë që të zgjedhin mes dy kandidatëve përmes votimit në internet. Kryetari i ri pritet të jetë në detyrë nga 28 tetori, pra pas vetëm një jave./Nacionale

Lajme të ngjashme