Trupat e NATO-s bëjnë ushtrime në Poloni, afër Kaliningradit të Rusisë
Forcat e NATO-s morën pjesë në ushtrimet që u mbajtën të premten në pjesën verilindore të Polonisë, zonë me peshë jetike për sigurinë e pjesës lindore të aleancës.
I ashtuquajturi Boshllëku i Suwalki-t, zonë me dendësi të rrallë të popullsisë në territorin polak, shtrihet mes Bjellorusisë e eksklavës ruse të Kaliningradit dhe ka rëndësi strategjike, sepse marrja e kësaj pjese nën kontroll nga Rusia do t’i izolonte shtetet baltike nga pjesa tjetër e territorit të NATO-s.
Polonia i ka fuqizuar forcat e armatosura si kundërpërgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe planifikon që shpenzimet në fushën e mbrojtjes t’i rrisë në 3 për qind të prodhimit vendës bruto (GPD), raporton agjencia “Reuters”.
“Si pjesë e këtyre ushtrimeve ka ushtrime që... janë formuluar duke u bazuar në përvojën tonë dhe në vëzhgimin e fushëbetejës në Ukrainë. Ne dimë se çfarë metodash përdor Rusia dhe çfarë metodash [të mbrojtjes] janë efektive”- tha ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Mariusz Blaszczak.
Në ushtrimin e quajtur “TUMAK-22” përfshihen 2.000 ushtarë nga forcat tokësore dhe ajrore, tha Ministria e Mbrojtjes e Polonisë. Në këtë ushtrim u përfshinë edhe mbi 1.000 pjesë të pajisjeve luftarake e të përkrahjes logjistike.
Në një ditë me reshje bore, si pjesë e ushtrimeve ishin edhe praktikimi i kalimit nëpër ujë dhe lëshimi nga ajri. Kur një sulm i simuluar filloi afër fshatit Klusy, në Liqenin Kepno u dëgjuan shpërthime gjatë ushtrimeve.
“Ajo që ndodhi sot në Liqenin Kepno, qe pjesë e një ushtrimi më të madh që ka qenë duke vazhduar disa javë”- tha Koloneli Tomasz Biedziak.
Dhjetëra ushtarë polakë e të aleancës kaluan nëpër ujë me automjete ushtarake përmes transportuesve për terrene tokësore e ujore, ndërsa tanket amerikane “Abrams” e simuluan ndjekjen e armikut.
Retë me lartësi të ulët e pamundësuan pjesëmarrjen e aeroplanëve në ushtrimet që u mbajtën në Liqenin Kepno.
