Trupat e Gardës Kombëtare në Uashington do të fillojnë të bartin armë, thonë zyrtarët
Trupat e Gardës Kombëtare të ShBA-së që po patrullojnë rrugëve të kryeqytetit Uashington si pjesë e asaj që presidenti Donald Trump ka thënë se është shtypje e krimit do të fillojnë që të bartin armë nga mbrëmja e së dielës, sipas dy zyrtarëve amerikanë.
Numri i saktë i trupave që do të bartin armë është i ndryshueshëm, por ushtarët ose do të bartin pistoleta të tipit M17, ose pushkë të tipit M4, sipas zyrtarëve që folën në kushte anonimiteti, pasi nuk ishin të autorizuar që ta diskutonin çështjen, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Qindra trupa të paarmatosura të Gardës Kombëtare kanë patrulluar rrugëve të Uashingtonit gjatë dy javëve të kaluara, pasi Trumpi kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme në qytet. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, javën e kaluar i autorizoi trupat që të bartnin armë.
Task-forca e Përbashkët e Gardës në Uashington tha në një deklaratë me shkrim të dielën se personeli i saj do ta përdorë forcën vetëm “si zgjedhje e fundit dhe vetëm si kundërpërgjigje ndaj një rreziku të menjëhershëm nga vdekja ose lëndimi serioz trupor”.
Ndërkohë, republikani Trump ka thënë se ndoshta do t’i zgjerojë masat shtypëse kundër krimit, duke i zbatuar ato edhe në Chicago, duke ndërhyrë kështu edhe në një qytet tjetër të qeverisur nga demokratët. Të dielën, ai e përmendi mundësinë e dislokimit të trupave edhe në Maryland.
Udhëheqësi demokrat i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, tha të dielën se Trumpi nuk ka asnjë autoritet për të dislokuar trupa në Chicago, pasi Pentagoni e kishte kryer planifikimin fillestar për dislokim të mundshëm.
Zyrtarët amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se kishte pasur planifikim fillestar në Pentagon për atë se si do të dukej dislokimi i trupave të Gardës Kombëtare në Chicago.
Njëri zyrtar tha se këto plane janë pjesë e përpjekjeve të ushtrisë për të parashikuar çfarëdo kërkese nga presidenti dhe theksoi se zyrtarët e Pentagonit ende nuk janë njoftuar rreth tyre. Nuk është e pazakonshme që Pentagoni të bëjë plane për dislokime të mundshme para se të jepen urdhra zyrtarë.
Demokrti Jeffries tha se çfarëdo lëvizjeje për të dislokuar trupa në Chicago do të ishte përpjekje nga Trumpi për të prodhuar një krizë. Krimet, përfshirë vrasjet, kanë shënuar rënie në Chicago vitin e fundit./Nacionale