Trupat amerikane e nisin ndërtimin e valëpritësit për pranimin e ndihmave në Gaza
Trupat amerikane e kanë filluar ndërtimin e një valëpritësi detar në bregdetin e Gazës me qëllim të përshpejtimit të rrjedhjes së ndihmave humanitare në enklavë, kur objekti të bëhet operacional në maj, tha Pentagoni të enjten.
Presidenti amerikan, Joe Biden, e kishte njoftuar ndërtimin e valëpritësit në mars, përderisa zyrtarët i bënin apel Izraelit që ta lehtësonte qasjen për furnizime me ndihma në rrugë tokësore. Është e paqartë se a do të sjellë valëpritësi sukses për shtimin e ndihmave humanitare, përderisa zyrtarë ndërkombëtarë po paralajmërojnë për rrezikun e vdekjes nga uria në veri të Gazës, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Porti do të ndërtohet në jugperëndim të qytetit Gaza, pak në veri të një rruge që e ndan enklavën në dy pjesë dhe që ushtria izraelite e ndërtoi gjatë luftimeve. Ajo zonë ishte rajoni më i populluar i Gazës para se ofensiva tokësore izraelite të detyronte mbi një milion njerëz që të vendoseshin në jug, në qytetin Rafah.
Një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Biden, duke folur me gazetarë në kushte anonimiteti, tha se ndihma humanitare që do të shkarkohet nga porti, do të duhet që të kalojë nëpër pika izraelite të kontrollit në tokë. Kjo do të vlejë pavarësisht nga fakti se ndihma do të jetë inspektuar tashmë nga Izraeli në Qipro para nisjes së dërgesave drejt Gazës. Izraeli dëshiron që të sigurohet që asnjë pjesë e ndihmave të mos përfundojë në duart e Hamasit.
“Unë mund të konfirmoj se anijet ushtarake të ShBA-së, përfshirë “USNS Benavidez”, kana filluar që t’i ndërtojnë fazat fillestare të valëpritësit të përkohshëm dhe rrugës në det” – u tha gazetarëve zëdhënësi i Pentagonit, Gjeneral Major Patrick Ryder.