Trumpit i del një incizim, dëgjohet duke diskutuar për plane sekrete për ta sulmuar Iranin
Një audio-incizim i ish-presidentit të ShBA-së, Donald Trump, është publikuar nga televizioni CNN. Në klubin e tij të golfit, në korrik të vitit 2021, ai dëgjohet duke diskutuar për dokumente sekrete që nuk i kishte deklasifikuar. Ky incizim ofron dëshmi të re se ish-presidenti i dinte procedurat e duhura për deklasifikimin e dokumenteve.
Në incizim përfshihen disa hollësi të reja nga një bisedë që është pjesë kritike e dëshmisë në aktakuzën e hetuesit Jack Smith për Trumpit në lidhje me keqtrajtimin e të dhënave të klasifikuara. Aty përfshihet edhe një moment, kur Trumpi duket se tregon që ishte duke mbajtur një dokument sekret të Pentagonit me plane për ta sulmuar Iranin.
Ky incizim është njëri nga dy incizimet që përmenden në aktakuzë, ku prokurorët pretendojnë se Trumpi u kishte treguar të dhëna të klasifikuara të tjerëve që nuk kishin verifikim të sigurisë, raporton televizioni CNN.
Në bisedë, Trumpi flet me njerëz që po e ndihmonin ish-shefin e stafit të tij, Mark Meadows, për të shkruar një libër. Ndihmësja e tij, Margo Martin, rregullisht incizonte biseda me autorë për t’u siguruar që t’i rrëfenin në mënyrë të saktë deklaratat e tij.
Sipas incizimit të publikuar në CNN, Trumpi u referohet dokumentit dhe statusit të tij të klasifikuar.
The Trump audio:
— Kaitlan Collins (@kaitlancollins) June 27, 2023
"See as president I could have declassified it. Now I can't, you know, but this is still a secret."
"Now we have a problem," a staffer responds. pic.twitter.com/ftNqOTnfZn
“Këto janë letrat”- thotë Trumpi në incizim, përderisa diskuton për planet sulmuese të Pentagonit, citim që nuk është përfshirë në aktakuzë.
“Kjo është bërë nga ushtria dhe më është dhënë mua”- vazhdon Trumpi, para se të theksojë se dokumenti mbetej sekret. “Shiko, si president, do të mund ta deklasifikoja. Tani nuk mundem, e dini, por ky ende është sekret”- dëgjohet duke thënë ai.
Trumpi dhe ndihmësit e tij dëgjohen duke u tallur me dërgesat elektronike të ish-sekretares Hillary Clinton.
“Hillary do ta printonte këtë tërë kohën, e dini. Shkresat elektronike private të saj”- thotë një anëtare e stafit.
“Jo, do t’ia dërgonte Anthony Weiner-it”- ia kthen Trumpi, duke iu referuar ish-kongresmenti demokrat dhe duke nxitur të qeshura në dhomë.