Trumpi thotë se Ukraina është e gatshme për bisedime e Rusia “gati për paqe” - NACIONALE

Trumpi thotë se Ukraina është e gatshme për bisedime e Rusia “gati për paqe”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të martën se ka pranuar një letër nga homologu ukrainas, Volodymyr Zelensky, në të cilën ai e ka shprehur gatishmërinë për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve për zgjidhjen e luftës me Rusinë.

“Ukraina është e gatshme për të ardhur te tavolina e bisedimeve sa më shpejt që është e mundshme për ta sjellë më afër paqen e qëndrueshme. Askush nuk e dëshiron paqen më shumë se ukrainasit” – tha Trumpi në adresimin para Kongresit të martën, duke cituar pjesë të letrës.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha, gjithashtu, se ai ka qenë në “diskutime serioze me Rusinë” dhe se ka “pranuar sinjale të fuqishme se ata janë të gatshëm për paqe”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“A nuk do të ishte e bukur kjo” – pyeti presidenti amerikan. “Është koha që të ndalet kjo çmenduri. Është koha që të ndalen vrasjet. Është koha që t’i jepet fund kësaj lufte të pakuptimtë. Nëse dëshironi t’u jepni fund luftërave, duhet të flisni me të dyja palët” – shtoi ai.

Pritej që Trumpi t’i përvijonte më tej planet e tij për Ukrainën e Rusinë në fjalimin para kongresistëve, por nuk zbuloi ndonjë hollësi tjetër për atë se si synon t’i japë fund konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Më tej, republikani miliarder tha se Ukraina është e gatshme për të nënshkruar një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për mineralet, për të cilën Uashingtoni thotë se është jetike për ta siguruar përkrahjen e vazhdueshme amerikane për mbrojtjen e Ukrainës.

Katër burime i thanë agjencisë “Reuters” se administrata e Trumpit dhe Ukraina planifikojnë që ta nënshkruajnë marrëveshjen si këmbim për ndihma ushtarake, të cilat Trumpi i ka pezulluar. Megjithatë, më vonë të martën, sekretari i Thesarit i ShBA-së, Scott Bessent, televizionit “Fox News” i tha: “Nuk ka nënshkrim të planifikuar.”

Trumpi nuk dha hollësi të mëtejme për marrëveshjen rreth mineraleve. Të martën herët, Zelensky u zotua për riparimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara pas asaj që e quajti përplasje “për keqardhje” në Zyrën Ovale me Trumpin javën e kaluar./Nacionale

Lajme të ngjashme