Trumpi thotë se të dyja palët në luftën e Ukrainës do të duhet të dorëzojnë territore
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të hënën se Kievi dhe Moska do të duhet të dorëzojnë territore për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe bisedimet e tij këtë javë me homologun rus, Vladimir Putin, do të tregojnë menjëherë nëse kreu i Kremlinit është i gatshëm për të bërë marrëveshje.
Udhëheqësit evropianë dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, planifikojnë që të flasin me Trumpin para samitit të tij me Putinin të premten në Alaskë, në kohën e frikës se Uashingtoni mund t’i diktojë Ukrainës kushte jo të favorshme për paqe, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në një konferencë për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi për bisedimet me Putinin tha: “Ky është vërtet një takim i zbulimit të ndjenjave.” Presidenti amerikan shtoi se ai do të dijë “ndoshta në dy minutat e para” nëse progresi është i mundshëm.
“Unë do t’i them atij: duhet t’i japësh fund kësaj lufte” – tha Trumpi, duke iu referuar homologut rus.
“Unë do të shkoj dhe t’i shoh parametrat tani. Mund të largohem dhe të them, “paç fat” dhe ky do të jetë fundi. Unë mund të them, “kjo nuk do të zgjidhet”- shtoi ai.
Trumpi tha se në një takim në të ardhmen mund të përfshihet edhe homologu ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe se qëllimi i Shteteve të Bashkuara është një armëpushim i shpejtë. Ai planifikon që të bisedojë me udhëheqës evropianë pak kohë pas bisedimeve me Putinin.
Në të kaluarën, presidenti amerikan ka folur për shkëmbime territoresh, por as Rusia e as Ukraina nuk kanë qenë të hapura për të dorëzuar territore si pjesë e marrëveshjes së paqes.
Duke folur para gazetarëve, Turmpi tha: “Do të ketë ca shkëmbim toke duke u zhvilluar.” “E di këtë përmes Rusisë dhe përmes bisedimeve me secilin, për të mirën e Ukrainës” – shtoi ai.
Më tej, presidenti amerikan tha se Rusia ka pushtuar “territor shumë parësor”, por se “ne do të mundohemi që të kthejmë një pjesë të atij territori”.
Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se BE-ja do të punojë në pakon e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë dhe ka paralajmëruar kundër koncesioneve ndaj Moskës.
“Përderisa Rusia nuk është pajtuar për armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar, ne nuk duhet as të diskutojmë për koncesione” – tha ajo në një deklaratë./Nacionale