Trumpi thotë se ShBA-ja duhet të kalojë “më pak kohë duke u brengosur për Putinin” - NACIONALE

Trumpi thotë se ShBA-ja duhet të kalojë “më pak kohë duke u brengosur për Putinin”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se qeveria amerikane duhet të shpenzojë më pak kohë duke u brengosur për Putinin, duke e kritikuar të dielën ish-këshilltarin e tij për siguri kombëtare, Herbert Raymond McMaster, i cili tha se Trumpi po e përkëdhel homologun rus.

“H.R. McMaster është një humbës i dobët dhe tërësisht joefikas” – shkroi presidenti Trump të dielën në mbrëmje në rrjetin “Truth Social”, raporton televizioni “Fox News”.

“Ne duhet të shpenzojmë më pak kohë duke u brengosur për Putinin dhe më shumë kohë duke u brengosur për bandat e migrantëve për përdhunime, shefat e drogës, vrasësit dhe njerëzit nga institucionet e shëndetit mendor që po hyjnë në vendin tonë, në mënyrë që të mos përfundojmë si Evropa” – shtoi ai në një postim pasues.

McMaster i kishte kritikuar Trumpin dhe nënpresidentin amerikan, JD Vance, pas takimit të tyre javën e kaluar në Zyrën Ovale me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Takimi u përcoll me tensione. Trumpi e Vance e kritikuan ashpër presidentin ukrainas.

“Është e pamundshme që të kuptohet pse presidenti Trump dhe nënpresidenti Vance duken të vendosur për t’i bërë më shumë presion presidentit Zelensky, ndërkohë ata duket se po e ledhatojnë Putinin, personi që e shkaktoi këtë luftë të tmerrshme në Ukrainë” – shkroi McMaster në rrjetin X të premten.

Përplasja verbale në Zyrën Ovale ishte nxitur nga kërkesa e Zelenskyt për garanci të sigurisë, përderisa lufta me Rusinë po vazhdon edhe më shumë se tre vjet nga dita e fillimit të saj më 2022.

Lajme të ngjashme