Trumpi thotë se s’është duke shqyrtuar sulme brenda Venezuelës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të premten mohoi se ishte duke shqyrtuar sulme brenda Venezuelës, me ç’rast u duk sikur doli kundër komenteve të veta të javës së kaluar në kohën kur pritej se Uashingtoni mund t’i zgjeronte së shpejti operacionet e lidhura me luftën kundër trafikimit të drogës.
Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar prani të madhe ushtarake në Karaibe në muajt e fundit, me aeroplanë luftarakë, luftanije e mijëra trupa. Kjo prani do të zgjerohet në masë domethënëse në javët në vijim me arritjen e grupit sulmues me aeroplanmbajtësen “Gerald Ford”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Të premten, kur u pyet nga gazetarët që po udhëtonin me të në aeroplanin presidencial “Air Force One” nëse ishin të vërteta raportimet e mediave se ai po shqyrton sulme brenda Venezuelës, Trumpi tha: “Jo.”
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse presidenti amerikan po i përjashtonte edhe sulmet në të ardhmen brenda Venezuelës apo thjesht po thoshte se një vendim përfundimtar nuk ishte marrë akoma.
Në javët e fundit, Trumpi ka thënë publikisht se administrata e tij do të kryejë sulme kundër caqeve të ndërlidhura me drogën brenda Venezuelës.
“Toka do të jetë në radhë” – deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë javën e kaluar, transmeton gazeta "Nacionale".
Në shënjestër të fushatës së forcave amerikane në Karaibe dhe në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor tashmë kanë qenë të paktën 14 barka për të cilat Uashingtoni ka thënë se ishin të përfshira në tregtinë ilegale të drogës, duke vrarë 61 njerëz.
Trumpi më herët ka konfirmuar se e ka autorizuar Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) për të kryer operacione të fshehta në Venezuelë.
Edhe pse koha e saktë e ndonjë sulmi në territor tokësor është e paqartë, zyrtarë të afërt me Trumpin kanë lënë të kuptohet se një gjë e tillë mund të ndodhë së shpejti.