Trumpi thotë se “s’e ka idenë” se për cilën pjesë të trupit i është bërë rezonanca magnetike
Presidenti amerikan, Donald Trump, u duk sikur është i hapur për publikimin e rezultateve të një kontrolli me rezonancë magnetike që i është nënshtruar rishtazi, edhe pse tha se nuk është i vetëdijshëm se cila pjesë e trupit i është ekzaminuar.
“Nëse ata duan që ta publikojnë [rezultatin e kontrollit], për mua është në rregull që të publikohet. Është i përkryer” – tha presidenti amerikan para gazetarëve të dielën në aeroplanin presidencial, “Air Force One”, raporton televizioni CNN.
Kur u pyet nga një reporter se cila pjesë e trupit i është ekzaminuar me rezonancë magnetike, Trumpi tha: “Nuk e kam idenë. Ishte thjesht një rezonancë magnetike – çfarë pjese e trupit? Nuk ishte truri, sepse bëra një test kognitiv dhe e kalova atë” – tha presidenti amerikan.
Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha të hënën se rezonanca magnetike që i është bërë rishtazi presidentit amerikan, Donald Trump, ishte me qëllime parandalimi për nga natyra dhe zbuloi se ai ka shëndet të mirë kardiovaskular.
Duke folur para gazetarëve në një konferencë të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, zonja Leavitt tha se burrat që janë në moshën e Trumpit kanë përfitime nga kontrolli me rezonancë magnetike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Imazhi kardiovaskular i presidentit Trump ishte normal në mënyrë të përsosur, s’kishte dëshmi për ngushtim arterial, qarkullim të dëmtuar të gjakut ose abnormalitete në zemër ose në enët kryesore të gjakut” – tha zëdhënësja për presidentin 79-vjeçar.