Trumpi thotë se Putini do ta mbante fjalën në një pakt të paqes për Ukrainën - NACIONALE

Trumpi thotë se Putini do ta mbante fjalën në një pakt të paqes për Ukrainën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka këmbëngulur se homologu i tij rus, Vladimir Putin, “do ta mbante fjalën” në një marrëveshje të paqes për Ukrainën, duke argumentuar se punëtorët amerikanë që do të nxirrnin minerale kritike në këtë shtet do të vepronin si masë sigurie për ta frenuar Rusinë nga pushtimi i sërishëm i vendit fqinj.

Gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin britanik, Keir Starmer, presidenti Trump tha se Putinit mund t’i besohet se nuk do të shkelte një marrëveshje, me të cilën do të mund të synohej rikthimi i sa më shumë territoreve që do të ishte e mundshme për Ukrainën e që janë kapur nga Rusia gjatë konfliktit brutal trevjeçar, raporton gazeta “The Guardian”.

Sidoqoftë, i ulur pranë Starmer-it në Zyrën Ovale e duke pranuar pyetje nga gazetarët, Trumpi refuzoi të zotohej për dërgimin e forcave amerikane në mbështetje të një force paqeruajtëse të udhëhequr nga evropianët, edhe pse tha se ShBA-ja “gjithmonë” do ta ndihmonte ushtrinë britanike në rast se ajo do të kishte nevojë për një gjë të tillë.

Më vonë, ai dha shenjë se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë “marrëveshje të mrekullueshme tregtare” me Mbretërinë e Bashkuar që mund të përparojnë “shumë shpejt”, duke shtuar se Starmer-i ishte munduar që ta bindte atë kundër vendosjes së taksave.

Në anën tjetër, kryeministri britanik e shfrytëzoi takimin për ta nxitur Trumpin që t’i ofrojë mbrojtje të sigurisë Kievit në rast se sigurohet një marrëveshje e paqes në mënyrë që Rusia të frenohet nga fillimi i një sulmi tjetër.

Pas takimit dypalësh: Starmer-i tha: “Ne kemi diskutuar një plan sot për të arritur një paqe që është e fortë dhe e drejtë, për të cilën Ukraina do të ndihmojë që t’i jepet formë, e cila është e mbështetur nga fuqia për ta ndaluar kthimin e Putinit për më shumë (sulme).”

Më tej, ai theksoi se çfarëdo marrëveshje duhet të jetë e atillë që do të zgjaste dhe se, për këtë arsye, garancitë e sigurisë janë shumë kritike. Sidoqoftë, Trumpi la të kuptohej se paqja do të jetë “pjesë e lehtë”, ndërsa aspekti i vështirë do të jetë arritja e marrëveshjes./Nacionale

Lajme të ngjashme