Trumpi thotë se prioritet numër një tani në Gaza është ushqyerja e njerëzve - NACIONALE

Trumpi thotë se prioritet numër një tani në Gaza është ushqyerja e njerëzve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të hënën se prioriteti numër një në Gaza është ushqyerja e njerëzve, sepse “ka shumë njerëz që po vdesin urie”, duke shtuar se për momentin ai nuk do të marrë pozicion sa i përket shtetësisë palestineze.

Duke folur krahas kryeministrit britaniak, Keir Starmer, në resortin e tij të golfit në Skoci, presidenti amerikan tha se Shtetet e Bashkuara kishin ofruar 60 milionë dollar për ndihma humanitare dhe se vende të tjera duhet të kontribuojnë më shumë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ai tha se e diskutoi këtë çështje të dielën me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe se ajo i tha atij se shtetet evropiane do ta shtojnë asistencën në mënyrë shumë substanciale. Trumpi tha gjithashtu se planifikon që ta diskutojë situatën humanitare të hënën edhe me kryeministrin britanik.

“Ne jemi duke dhënë shumë para dhe shumë ushqim dhe vende të tjera tani do ta shtojnë përkrahjen. Është një rrëmujë. Ata duhet të pranojnë ushqim dhe siguri mu tani” – deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Kryeministri britanik u pajtua: “Është një krizë humanitare, apo jo? Është një katastrofë absolute... Mendoj se njerëzit në Britani janë të revoltuar me ato që po i shohin në ekranet e tyre.”

Trumpi tha se nuk do ta komentojë nismën e presidentit francez, Emmanuel Macron, për ta mbështetur shtetësinë palestineze.

Presidenti amerikan gjithashtu e kritikoi Hamasin pse nuk po pajtohet që të lirojë më shumë pengje – të gjalla e të vdekura – dhe tha se i ka thënë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se qasja e Izraelit me gjasë do të duhet të ndryshojë.

“I thashë Bibit (Netanyahut) se ti ndoshta duhet ta bësh këtë në një mënyrë tjetër” – tha Trumpi.

Kur u pyet nëse armëpushimi është ende i mundshëm, ai tha: “Po, armëpushimi është i mundshëm, por duhet ta marrësh, duhet t’i japësh fund kësaj”. Presidenti nuk dha hollësi se çfarë deshi të thoshte me këto fjalë./Nacionale

Lajme të ngjashme