Trumpi thotë se është arrestuar përgjegjësi për vrasjen e 13 ushtarëve amerikanë në Afganistan - NACIONALE

Trumpi thotë se është arrestuar përgjegjësi për vrasjen e 13 ushtarëve amerikanë në Afganistan

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të martën se personi përgjegjës për vrasjen e 13 ushtarëve amerikanë gjatë tërheqjes nga Afganistani më 2021 është arrestuar.

Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, arrestimi i këtij personi është bërë me ndihmën e Pakistanit dhe tani është rrugës për në ShBA për t’u ballafaquar me drejtësinë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Presidenti amerikan e dha lajmin për arrestimin e personit të dyshuar gjatë fjalimit të tij në Kongresin e ShBA-së, por nuk dha hollësi të mëtejme.

Kryeprokurorja e Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, tha se ky person, të cilin ajo nuk e identifikoi më shumë, është marrë në ndalim të autoriteteve amerikane nga Departamenti i Drejtësisë, FBI-ja dhe CIA.

“Ne shpresojmë që kjo u sjell ca lehtësim familjeve të 13 heronjve amerikanë të humbur në Abbey Gate. Ne do të vazhdojmë që t’i sjellim para drejtësisë së shpejtë e vendimtare ata që i lëndojnë amerikanët” – shkroi Bondi në rrjetin X.

Mohammad Shafirullah, i cili dyshohet se ishte i përfshirë në planifikimin e bombardimit, ishte duke u ekstraduar në ShBA, raportoi të martën televizioni CNN, duke cituar një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë./Nacionale

Lajme të ngjashme