Trumpi thotë se e ka anuluar takimin me Putinin - NACIONALE

Trumpi thotë se e ka anuluar takimin me Putinin

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të mërkurën se ai e ka anuluar takimin e pritshëm me homologun rus, Vladimir Putin, duke thënë para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se “thjesht nuk m’u duk gjë e duhur”.

“Nuk dukej sikur do të arrinim në vendin që duhet të arrijmë, prandaj e anulova, por do ta bëjmë në të ardhmen” – tha presidenti amerikan para gazetarëve të mbledhur në Shtëpinë e Bardhë, raporton televizioni CNN.

Javën e kaluar, Trumpi tha se planifikonte të takohej me homologun rus në Budapest të Hungarisë, pasi dy presidentët kishin zhvilluar një bisedë të gjatë telefonike që Trumpi e kishte përshkruar si “shumë produktive”.

Megjithatë, televizioni CNN raportoi më herët këtë javë se shpresat e Trumpit për një takim të shpejtë me Putinin ishin venitur. Një zyrtar i administratës amerikane tha të martën se “nuk kishte plane” për një samit mes dy udhëheqësve “në të ardhmen e afërt”.

I pyetur të mërkurën nëse mendon që presidenti rus dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë, Trumpi tha “po”.

“Mendoj se ata duan paqe, mendoj se të dy duan paqe. Në këtë pikë, e dini, janë bërë gati katër vjet. Po shkojmë drejt katër vjetëve dhe, nëse do të kisha qenë unë president, kjo s’do të kishte nisur kurrë, por po, është koha [që të ndalet lufta]” – shtoi ai.

Lajme të ngjashme