Trumpi thotë se do t’i japë Iranit një javë kohë për të arritur pakt për fundin e luftës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kur u pyet se çfarë periudhe kohore mund të pritet për arritjen e një marrëveshjeje për një memorandum mirëkuptimi mes ShBA-së e Iranit që do t’i jepte fund në mënyrë të përhershme luftës mes tyre, tha se ky afat është një javë.
Televizioni “Fox News” raportoi se Trumpi i bëri këto komente gjatë një interviste telefonike me mediumin, në të cilën tingëlloi optimist, por i matur, transmeton gazeta "The Times of Israel".
Mediumi “Axios” raportoi më herët të mërkurën se Shtetet e Bashkuara po presin një përgjigje nga Irani gjatë 48 orëve të ardhshme, prandaj është e paqartë nëse Trumpi po lë të kuptohet se do të nevojiteshin edhe disa ditë pas këtij afati.
Trumpi e ka paralajmëruar Iranin se do të ballafaqohet me “nivel dhe intensitet shumë më të lartë” të bombardimeve, nëse nuk pajtohet për një marrëveshje.
“Nëse nuk pajtohen, bombardimi fillon dhe do të jetë, fatkeqësisht, në nivel dhe intensitet shumë më të lartë se që ishte më parë. Faleminderit për vëmendjen tuaj për këtë çështje” – shkroi në rrjete sociale kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Më herët u raportua se Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë afër nënshkrimit të një dokumenti me të cilin do t’i jepej fund konfliktit.
Këto raportime ndikuan që të bien çmimet e karburanteve në bursën ndërkombëtare dhe që vlera e aksioneve në disa indekse të rritet./Nacionale