Trumpi thotë se do të dorëzohet të enjten para autoriteteve të drejtësisë: "A mund ta besoni?" - NACIONALE

Trumpi thotë se do të dorëzohet të enjten para autoriteteve të drejtësisë: "A mund ta besoni?"

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se do të dorëzohet para autoriteteve në Georgia të enjten për t’u ballafaquar me akuzat rreth skemave ilegale për zhbërjen e humbjes në zgjedhjet e vitit 2020.

“A mund ta besoni” Do të shkoj në Atlanta, Georgia, të enjten për t’u ARRESTUAR”- shkroi Trumpi në rrjetin e tij social të hënën në mbrëmje, disa orë pasi në dokumente të gjykatës u tha se kushti për lirimin e tij me dorëzani është caktuar në shumën e 200 mijë dollarëve, raporton gazeta “The Guardian”.

Zyra e policisë lokale tha në një komunikatë për media të hënën pasdite se do të ketë një “izolim të fortë” të zonën përreth burgut kryesor të distriktit, kur ish-presidenti amerikan të dorëzohet.

Në dokumentin për dorëzani thuhet se Trumpi “nuk duhet të komunikojë në asnjë mënyrë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, për faktet e këtij rasti me asnjë person që ai e njeh se është i pandehur në këtë rast përpos përmes avokatit të tij ose saj”.

Prokurorja e distriktit Fulton, Fani Willis, e ka caktuar si afat pasditen e së premtes që Trumpi dhe 18 të pandehur të tjerë të paraqiten para autoriteteve. Prokurorja ka propozuar që proceset gjyqësore ndaj të pandehurve të fillojnë gjatë javës së parë të plotë të shtatorit. Ajo ka thënë se dëshiron t’i gjykojë të pandehurit në mënyrë kolektive dhe ta sjellë rastin në gjykim në mars të vitit të ardhshëm, që do të ishte në kohën e nominimit të kandidatëve për zgjedhjet e vitit 2024.

Në mesin e të pandehurve është edhe ish-kryetari i Nju-Jorkut, Rudy Giuliani.

Trumpi ka mohuar se ka bërë ndonjë shkelje në Georgia dhe në tri aktakuza të tjera, të cilat përmbajnë gjithsej 91 akuza kriminale.

Në mesin e tyre përfshihen akuzat për përpjekjet për zhbërjen e rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve të vitit 2020, akuzat për mbajtjen e të dhënave të klasifikuara pas largimit nga pushteti dhe pagesat për një aktore të filmave për të rritur që të mos fliste gjatë kohës së zgjedhjeve të vitit 2016.

Lajme të ngjashme