Trumpi thotë se dhuna kundër “Tesla”-s është terrorizëm i brendshëm - NACIONALE

Trumpi thotë se dhuna kundër “Tesla”-s është terrorizëm i brendshëm

1 javë më parë

nga NACIONALE

Dhuna kundër kompanive që shesin vetura elektrike “Tesla” do të cilësohet si terrorizëm dhe autorët “do të kalojnë nëpër ferr”, tha të martën presidenti amerikan, Donald Trump, në një shfaqje të mbështetjes për shefin e kësaj kompanie, njëkohësisht aleat i tij, Elon Musk.

Vlera e aksioneve të kompanisë shënoi rritje për gati 4 për qind të martën, duke e marrë veten pas rënies më të madhe brenda një dite në katër vjet e gjysmë një ditë më parë, pasi presidenti amerikan doli me Muskun në Shtëpinë e Bardhë për të zgjedhur një veturë të kompanisë së tij për t’u përdorur nga stafi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Aktivistët së fundi kanë organizuar protesta kundër kompanisë “Tesla” për ta shprehur pakënaqësinë për rolin e Muskut në zvogëlimin e madh të fuqisë punëtore federale nën udhëheqjen e Trumpit dhe anulimin e kontratave për financimin e programeve humanitare përreth botës.

“Ata po dëmtojnë një kompani të mrekullueshme amerikane” – tha Trumpi në Shtëpinë e Bardhë, duke iu referuar protestuesve. Aty ndodhej edhe shefi i kompanisë, Elon Musk.

“Më lejoni t’ju them, ia bëni këtë Tesla-s dhe ia bëni këtë cilësdo kompani, ne do t’ju kapim dhe... ju do të kaloni nëpër ferr” – paralajmëroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Lajme të ngjashme