Trumpi takohet prapë me Netanyahun në ShBA, flasin për armëpushimin në Gaza
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u takuan të martën në mbrëmje për herë të dytë në po aq ditë për ta diskutuar luftën në Gaza.
Takimi mes dy udhëheqësve erdhi pasi emisari i Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, la të kuptohej se Izraelit dhe Hamasit u kishte mbetur një çështje për të cilën duhet të pajtohen për ta arritur marrëveshjen për armëpushim 60-ditor, raporton televizioni BBC.
Netanyahu arriti në Shtëpinë e Bardhë pak pas orës 17:00 sipas kohës lokale të martën për takimin me Trumpin,në të cilin nuk u lejuan gazetarë.
Më herët të martën, Netanyahu u takua me nënpresidentin e Shteteve të Bashkuara, JD Vance. Ai gjithashtu u takua me Trumpin për disa orë gjatë një darke në Shtëpinë e Bardhë të hënën.
Kjo është vizita e tretë shtetërore e Netanyahut në Shtetet e Bashkuara që nga fillimi i mandatit të dytë të Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Takimi mes dy udhëheqësve zgjati rreth dy orë.
Kryeministri izraelit u takua edhe me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, i cili është pjesë e Partisë Republikane, Mike Johnson.
Më pas, Netanyahu tha se nuk beson që fushata ushtarake e Izraelit në Gaza ka përfunduar, por se negociatorët “qartazi po punojnë” për një armëpushim.
“Ende duhet ta përfundojmë punën në Gaza, t’i lirojmë të gjitha pengjet tona, t’i eliminojmë dhe t’i shkatërrojmë kapacitetet ushtarake dhe qeveritare të Hamasit” – tha ai.
Para takimit të Netanyhut me Trumpin të hënën, një delegacion nga Katari arriti në Shtëpinë e Bardhë dhe bisedoi me zyrtarë amerikanë për disa orë, raportoi mediumi “Axios”, duke cituar një burim që kishte njohuri për këto bisedime./Nacionale