Trumpi shënon fitore dërrmuese në zgjedhjet partiake në Nevada - NACIONALE

Trumpi shënon fitore dërrmuese në zgjedhjet partiake në Nevada

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e ka fituar garën e Partisë Republikane në Nevada për nominim në zgjedhje presidenciale me dallim shumë të madh.

Personi i vetëm që e kishte emrin në listën e votimit ishte Ryan Binkley, prift dhe biznesmen, raporton televizioni BBC.

Kjo do të thotë se Trumpi do t’i marrë të gjithë 26 delegatët e Nevadës, sistem që përdoret nga partitë për ta përcaktuar kandidatin e tyre në zgjedhje presidenciale.

Sipas rezultateve fillestare, miliarderi Trump mori mbi 99 për qind të votave. Në një paraqitje para përkrahësve, ai tha: “Ne kishim thënë se do të ishim të lumtur me çdo gjë mbi 80 për qind, por morëm gati 98 për qind.”

Në tubimin e fitores në Las Vegas, miliarderi shtoi: "Nëse e fitojmë këtë shtet, lehtësisht i fitojmë zgjedhjet në nëntor."

Ai tani ka fituar gara partiake në tri shtete – Nevada, Iowa dhe New Hampshire – duke e bërë kandidat të supozuar të Partisë Republikane në zgjedhjet e nëntorit.

Trumpi e ka fituar garën partiake edhe në Ishujt e Virgjër të ShBA-së, territor i painkorporuar.

Sfiduesja e vetme serioze e Trumpit që ka mbetur në garë, ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, kishte vendosur që të mos merrte pjesë në garën e Nevadës.

Agjencia “Associated Press” raportoi se rreth 48.400 persona votuan për Trumpin, në krahasim me vetëm 381 që votuan për kandidatin Ryan Binkley.

Ekipi i kandidates Nikki Haley tha se ata nuk morën pjesë në këto zgjedhje, duke pretenduar se ato ishin “montuar për Trumpin”.

Gara e radhës për Trumpin do të jetë në Karolinë të Jugut, ku përsëri do të ballafaqohet me Nikki Haley-n.

Pavarësisht nga tri humbjet e pësuara, ajo është zotuar se do ta vazhdojë garën, duke argumentuar se përkrahësit republikanë duan që të shohin një alternativë për Donald Trumpin dhe se “votuesit duan zgjedhje, jo kurorëzim”.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme