Trumpi publikon video me AI sikur Obama arrestohet para syve të tij e pastaj shihet në burg
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka publikuar një video të krijuar me inteligjencë artificiale që mund të mos i pëlqejë fare paraardhësit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Barack Obama.
Trumpi e publikoi videon në rrjetin e tij, “Truth Social”. Videoja fillon me një deklaratë të vërtetë të Obamës, i cili dëgjohet duke thënë: “Askush, sidomos presidenti, nuk është mbi ligjin.” Pas tij, në video paraqiten edhe ish-presidenti tjetër, Joe Biden, e ish-zyrtarë të tjerë të lartë, duke i thënë fjalët “askush nuk është mbi ligjin”.
Në sfond të fjalëve të tyre dëgjohet një muzikë që zakonisht përdoret në video ku pretendohet se njerëzit nuk janë duke e thënë të vërtetën.
Në pjesën e dytë të videos, e cila qartazi vërehet se është krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale, Trumpi dhe Obama shihen të ulur afër njëri tjetrit në një zyrë në Shtëpinë e Bardhë. Në atë moment, tre oficerë gjoja të FBI-së e kapin Obamën dhe e tërheqin zvarrë nga ulësja, ndërsa Trumpi qesh. Obama më pas shihet në një burg, i veshur me rrobat e zakonshme të të burgosurve – ngjyrë portokalli.
Mësa duket, kjo pamje fillimisht ishte publikuar në rrjetin social “TikTok”, por presidenti amerikan nuk mundi të rezistonte pa e publikuar edhe në llogarinë e tij në “Truth Social”.
Të premten, drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, kërcënoi se do të paraqiste ish-zyrtarë të administratës së Obamës në Departamentin e Drejtësisë për ndjekje penale për shkak të vlerësimit të inteligjencës rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në ShBA, raporton televizioni CNN.
Zonja Gabbard të premten deklasifikoi dokumente për të cilat pretendoi se janë dëshmi që zyrtarët e inteligjencës në administratën e Obamës “prodhuan dhe politizuan të dhëna të inteligjencës për ta vënë themelin” e hetimit të FBI-së për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje pas fitores së Trumpit.