Trumpi: Pse do të shkonte Putini në Stamboll, nëse nuk shkoj unë?
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kishte deklaruar më herët se ai mund të udhëtojë në Turqi të premten, nëse bisedimet e paqes mes Ukrainës e Rusisë shënojnë progres të enjten.
Rusia ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do të marrë pjesë në bisedimet me Ukrainën të enjten në Stamboll, raporton televizioni BBC.
Si përgjigje ndaj një pyetjeje për Putinin gjatë një konference për gazetarë në Katar, presidenti amerikan tha: “Pse do të shkonte ai, nëse nuk do të shkoj unë? Sepse unë nuk isha duke shkuar. Nuk isha duke planifikuar që të shkoja. Do të shkoja, por nuk po planifikoja që të shkoja.”
Kreu i Shtëpisë së Bardhë shtoi: “Dhe unë thashë, nuk mendoj se ai do të shkojë, nëse unë nuk shkoj dhe kjo doli të ishte e saktë, por ne kemi njerëz atje.”
“Marco (Rubio), siç e dini, është duke bërë një punë fantastike. Marco është atje, sekretari i Shtetit, dhe ne kemi njerëz atje, por unë jo, unë jo. Nuk mendova se ishte e mundshme për Putinin që të shkonte, nëse unë nuk jam atje” – tha më tej presidenti amerikan.