Trumpi për Netanyahun: “Nëse i them të bëjë diçka, e bën”
Redaktorja e BBC-së për Amerikën e Veriut, Sarah Smith, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump, për ta pyetur rreth shkëmbimit të zjarrit mes Iranit e Izraelit për herë të parë që nga arritja e armëpushimit mes Uashingtonit e Teheranit para dy muajve.
Irani kreu një valë sulmesh ndaj Izraelit të hënën dhe Izraeli u kundërpërgjigj, raporton televizioni BBC.
Në telefonatën e shkurtër, Smith tha se e pyeti kreun e Shtëpisë së Bardhë se si e kishte bindur kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, që t’i ndërpriste sulmet ndaj Iranit.
Trumpi tha: “E tëra që bëra ishte të thosha: Duhet ta përdorim arsyen. Jemi shumë afër nënshkrimit të një marrëveshjeje shumë të fuqishme, një marrëveshje shumë e mirë. Pa armë bërthamore, pa asgjë. E dini, duhet ta përdorim shumë logjikën. Ishte në rregull.”
Megjithatë, redaktorja e BBC-së thotë se e vuri në pah faktin se Netanyahu ishte hakmarrë kundër sulmeve të Iranit, edhe pse Trumpi i kishte bërë thirrje Izraelit që të mos lëshonte raketa si kundërpërgjigje.
Presidenti amerikan u përgjigj: “Jo, jo, ato [raketat] tashmë kishin shkuar. Ato tashmë kishin shkuar, tashmë ishin rrugës”, duke iu referuar kundërsulmit izraelit.
Fakti që reagimi i Trumpit mund të jetë bërë pasi Izraeli e kishte nisur kundërpërgjigjen mund të shpjegojë se pse nuk kishte reagim të ashpër nga Trumpi për sulmin izraelit.
Për Netanyahun, Trumpi tha: “Nëse i them që të bëjë diçka, ai e bën atë.”
Më pas, presidenti amerikan i tha redaktores së BBC-së se duhej të shkonte dhe e përfundoi bisedën./Nacionale