Trumpi paralajmëron “katastrofë ekonomike” për ShBA-në, nëse Gjykata Supreme vendos kundër taksave
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të hënën se vendi i tij do të ballafaqohej me katastrofë ekonomike dhe të sigurisë kombëtare, nëse Gjykata Supreme merr vendim kundër përdorimit të një ligji për kompetenca urgjente nga ai për vendosjen e taksave kundër pothuajse secilit shtet tjetër.
Trumpi tha se administrata e tij planifikon që të lëshojë një pagesë prej 2.000 dollarësh për amerikanët me të ardhura të ulëta dhe të mesme duke i shfrytëzuar përfitimet nga taksat, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për ta ulur borxhin publik të ShBA-së, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenti amerikan, i cili më parë e ka përmendur idenë e përdorimit të të hyrave nga taksat për t’u dhënë një “dividendë” amerikanëve me të ardhura më të ulëta, e përsëriti atë në një shkrim në rrjetin “Truth Social” të dielën si dhe gjatë komenteve para gazetarëve në Zyrën Ovale të hënën.
“Ne do t’u lëshojmë një dividendë njerëzve tanë me të ardhura të mesme dhe të ulëta – rreth 2.000 dollarë – dhe do t’i shfrytëzojmë taksat e mbetura për ta ulur borxhin tonë” – tha Trumpi në ceremoninë e emërimit të ambasadorit të ri amerikan në Indi, Sergio Gor.
Mbështetja për Trumpin në sondazhe është dobësuar muajve të fundit, në kohën e shtimit të shqetësimit për gjendjen e ekonomisë dhe zemërimit të vazhdueshëm për inflacionin.