Trumpi: Nuk do të bëhem diktator, nëse bëhem prapë president - NACIONALE

Trumpi: Nuk do të bëhem diktator, nëse bëhem prapë president

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tha të martën se nuk do të bëhet diktator, nëse bëhet prapë president, me përjashtim të “ditës së parë”, pas paralajmërimeve të demokratëve dhe disa republikanëve se Amerika është në rrezik që të bëhet autokraci, nëse ai i fiton zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Kandidatit republikan u desh t’i shtrohej pyetja dy herë gjatë një organizimi televiziv në Iowa që ai ta mohonte keqpërdorimin e pushtetit, nëse rikthehet, për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve politikë, raporton agjencia “Reuters”.

“Jo. Jo. Përpos ditës së parë”- tha miliarderi, kur iu kërkua që të mohonte se do të bëhej diktator, nëse i fiton zgjedhjet e nëntorit.

Trumpi tha se “në ditën e parë” do t’i shfrytëzonte kompetencat presidenciale për ta mbyllur kufirin jugor me Meksikën dhe për ta zgjeruar nxjerrjen e naftës.

Politikani që po e kërkon mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardh dhe që mund të ballafaqohet me presidentin e tanishëm, Joe Biden, shpesh ka premtuar “shpagim” ndaj kundërshtarëve politikë, nëse vjen prapë në pushtet.

Në mesin e shënjestrave përfshihen Bideni, prokurorët që e kanë ngarkuar me aktakuza për dhjetëra krime, Departamenti i Drejtësisë dhe burokracia federale, sipas komenteve të Trumpit gjatë fushatës dhe në paraqitje televizive këtë vit.

Pas përfundimit të organizimit televiziv ku u paraqit Trumpi, menaxherja e fushatës së Bidenit, Julie Chavez Rodriguez, tha në një deklaratë: “Donald Trumpi na ka treguar saktësisht se çfarë do të bëjë, nëse ai rizgjidhet dhe sonte tha se do të jetë diktator në ditën e parë. Amerikanët duhet t’i besojnë.”

Presidenti Biden vazhdimisht ka paralajmëruar se Trumpi është kërcënim për demokracinë dhe se mandati i dytë i republikanit do të mund ta sillte fillimin e një epoke të pashembullt e të rrezikshme të autokracisë amerikane.

Lajme të ngjashme