Trumpi ngarkohet me katër akuza rreth përpjekjeve për zhbërjen e rezultatit të zgjedhjeve - NACIONALE

Trumpi ngarkohet me katër akuza rreth përpjekjeve për zhbërjen e rezultatit të zgjedhjeve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Prokurorët federalë kanë ngritur akuza kundër ish-presidentit Donald Trump rreth përpjekjeve të tij për ta zhbërë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në përpjekje për të qëndruar në pushtet. Para disa javëve, Trumpi u akuzua edhe për mbajtjen e të dhënave të mbrojtjes kombëtare.

Në aktakuzën e paraqitur në gjykatën federale të qarkut në Uashington, Trumpi ngarkohet me një akuzë për konspiracion për t’i mashtruar Shtetet e Bashkuara, me një akuzë për konspiracion për të penguar një procedurë zyrtare, për pengim dhe përpjekje për pengim të një procedure zyrtare dhe për konspiracion kundër të drejtave, raporton gazeta “The Guardian”.

Në 45 faqe, në aktakuzën e paraqitur nga hetuesi i posaçëm, Jack Smith, vihet në dukje në hollësi se si Trumpi dhe aleatët e tij me vetëdije kishin shpërndarë pretendime të rreme për mashtrim në zgjedhje, se si kishin mbledhur zgjedhës mashtrues dhe se si ishin përpjekur për ta bllokuar certifikimin e zgjedhjeve më 6 janar 2021.

Në aktakuzë përmenden edhe gjashtë bashkëkonspiratorë, të cilët kishin luajtur role qendrore në komplotin për ta mbajtur Trumpin në zyrë. Përderisa atyre nuk u janë përmendur emrat, përshkrimi për pesë prej gjashtë prej tyre lidhen me avokatët e Trumpit, Rudy Giuilani, Sidney Powell, John Eastman, Ken Chesebro, si dhe me ish-zyrtarin e Departamentit të Drejtësisë, Jeff Clark.

“Pavarësisht që kishte humbur, i pandehuri ishte i vendosur që të mbetej në pushtet”- thuhet në aktakuzë. “Prandaj, për më shumë se dy muaj pas ditës së zgjedhjeve më 3 nëntor 2020, i pandehuri shpërndau gënjeshtra se kishte pasur mashtrim që e përcaktonte rezultatin në zgjedhje dhe se ai, në të vërtetë, kishte fituar. Këto pretendime ishin të rreme dhe i pandehuri e dinte se ato ishin të rreme”- thuhet më tej në aktakuzë.

“Por i pandehuri i përsëriti dhe gjerësisht i shpërndau ato, gjithsesi – për t’i bërë pretendimet e tij me vetëdije të rreme që të dukeshin legjitime, të krijonte dhe të intensifikonte atmosferë kombëtare të mosbesimit e zemërimit dhe ta dëmtonte besimin publik në administratën e zgjedhjeve”- vazhdon akuza.

Lajme të ngjashme