Trumpi me “urim” të veçantë për 37 personat që Bideni ua fali dënimin me vdekje - NACIONALE

Trumpi me “urim” të veçantë për 37 personat që Bideni ua fali dënimin me vdekje

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka “uruar” 37 personat që presidenti në largim, Joe Biden, para disa ditëve ua fali dënimin me vdekje, duke u thënë “vafshi në ferr”.

Republikani, mbrojtës i zëshëm i dënimit më të rëndë, reagoi kundër vendimit të paraardhësit të tij përmes një shkrimi në rrjetin “Truth Social”, pasi ua uroi Krishtlindjet kundërshtarëve politikë, të cilët i quajti “të çmendurit e së majtës radikale”, raporton gazeta “The Guardian”.

Ai më pas iu drejtua personave që Bideni ua fali dënimin me vdekje. “... 37 kriminelëve më të dhunshëm, të cilët vranë, përdhunuan dhe plaçkitën si askush tjetër para tyre, iu dha, në mënyrë të pabesueshme, falja nga i përgjumuri Joe Biden. Unë refuzoj që t’ua uroj Krishtlindjet atyre “shpirtrave” me fat, por, në vend të kësaj, do t’u them, VAFSHI NË FERR!” – shkroi Trumpi

Me vendimin e Bidenit, 37 prej 40 të dënuarve me vdekje, dënimi u shndërrohet në burgim të përjetshëm pa të drejtë për lehtësim tjetër. Lëvizja e Bidenit erdhi pas presionit nga grupet kundër dënimit me vdekje, të cilat kishin paralajmëruar se kishte gjasa që këta të dënuar të ekzekutoheshin pas rikthimit të Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Tre të dënuarit që nuk përfituan nga vendimi i Bidenit janë shpallur fajtorë për terrorizëm ose krime të urrejtjes, përfshirë Dzhokhar Tsarnaev-in, i cili është shpallur fajtor për sulmin me bombë në maratonën e Bostonit më 2013.

Gjatë mandatit të parë si president, Trumpi e kishte rinisur ekzekutimin e të dënuarve me vdekje në nivel federal pas një pauze 17-vjeçare.

Lajme të ngjashme