Trumpi lë të kuptohet se është arritur marrëveshje për të ardhmen e TikTok-ut - NACIONALE

Trumpi lë të kuptohet se është arritur marrëveshje për të ardhmen e TikTok-ut

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të hënën në rrjetin e tij social se një takim mes zyrtarëve amerikanë dhe kinezë shkoi mirë dhe se një marrëveshje është arritur për një kompani “të caktuar që të rinjtë në vendin tonë donin shumë që ta ruanin”.

Komentet e kreut të Shtëpisë së Bardhë lënë të kuptohet se bëhet fjalë për kompaninë “TikTok”, rrjet social i lidhur me Kinën, për të cilin ligji amerikan kërkon që të shitet ose në të kundërtën do t’i ndërpriten operacionet në ShBA, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Presidenti republikan disa herë e ka shtyrë afatin për fatin e TikTokut. Ai tha se të premten do të bisedojë me homologun kinez, Xi Jinping.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga Kina.

TikToku u bë më i popullarizuar gjatë karantinës në pandeminë e koronavirusit, kur vallëzimet e shkurtra, që ishin bërë virale, u bënë kyçe në këtë aplikacion. Për t’i bërë konkurrencë, platformat “Instagram” dhe “YouTube” dolën me versionet e tyre të videove të shkurtra.

Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësime rreth rrënjëve dhe pronësisë së TikTokut, duke i përmendur ligjet kineze, me të cilat kërkohet që kompanitë e atij vendi t’ia dorëzojnë Qeverisë të dhënat që u kërkohen.

Lajme të ngjashme